Hisen Berisha: Veprimi duhet të kalojë nga rruga në Kuvend, përgjegjësia politike dhe zhbërja e Speciales
Ish-deputeti i PDK-së, gjenerali i luftës, Hisen Berisha, ka reaguar pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke bërë thirrje që debati dhe veprimi politik të zhvendosen nga protestat në rrugë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Berisha ka thënë se protesta është shprehje e revoltës qytetare, por sipas tij, vendimet që lidhen me institucionet e Republikës duhet të merren në institucionet përkatëse.
“Veprimi duhet të kalojë nga rruga në Kuvend”, ka shkruar Berisha, duke theksuar se çdo kërkesë politike për veprim ndaj Dhomave të Specializuara duhet të procedohet përmes Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kundërshtuar dëmtimin e institucioneve dhe përplasjet me Policinë, duke thënë se objektet e Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera janë pronë e Republikës së Kosovës dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve.
Berisha ka kërkuar gjithashtu që të shqyrtohet përgjegjësia politike lidhur me deklarimet e bëra në të kaluarën nga zyrtarë të Kosovës dhe mënyrën se si ato janë përdorur gjatë proceseve në Hagë.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur kryeministrin Albin Kurti dhe deklarimet e tij në seancën e Kuvendit të 26 shkurtit 2016, gjatë debatit për zgjedhjen e Hashim Thaçit president, lidhur me rastin e Behajdin Allaqit.
Sipas Berishës, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, kjo çështje duhet të shqyrtohet përmes dokumenteve dhe procedurave institucionale, duke bërë dallimin ndërmjet fakteve, dëshmive, pretendimeve dhe interpretimeve politike.
Ai ka ngritur pyetjen nëse dhe në çfarë mase deklarimet politike të zyrtarëve të Kosovës kanë ndikuar në krijimin, orientimin apo përdorimin e rrëfimeve që më pas janë trajtuar nga organet e drejtësisë.
“Duhet të kërkohet dokumentacioni, të krahasohen deklarimet, provat dhe arsyetimi i aktgjykimit dhe të përcaktohet se çfarë është fakt, çfarë është dëshmi, çfarë është pretendim dhe çfarë është interpretim politik”, ka shkruar Berisha.
Ish-deputeti i PDK-së ka folur edhe për mundësinë e zhbërjes së Dhomave të Specializuara, duke rikujtuar se kjo strukturë u krijua në vitin 2015 përmes një baze të veçantë juridike, me Amendamentin Kushtetues nr. 24 dhe Ligjin nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas tij, çdo debat për ndryshimin apo zhbërjen e këtij mekanizmi duhet të zhvillohet në përputhje me procedurat kushtetuese dhe ligjore, si dhe duke marrë parasysh detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Deputetët konsideroj se kanë mjaftueshëm arsye kushtetuese, juridike ose politike për rishikimin e këtij mekanizmi, ndaj duhet ta sjellin çështjen në Kuvend dhe ta hapin procedurën përkatëse”, ka deklaruar Berisha.
Në fund, ai ka bërë thirrje që reagimi ndaj zhvillimeve në Hagë të mos shoqërohet me dhunë, dëmtim të institucioneve apo përplasje me Policinë.
“Jo me gurë. Jo me përplasje me Policinë. Jo me dëmtim të institucioneve. Me votë. Me debat. Me dokumente. Me përgjegjësi”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, synimi duhet të jetë mbrojtja e rendit kushtetues dhe interesit publik të Kosovës, ndërsa debati për Dhomat e Specializuara duhet të zhvillohet në Kuvend dhe përmes procedurave institucionale.



