Vendimi i Speciales, Cakolli: E papranueshme që institucionet s’po e trajtojnë këtë çështje, të zhytura në përplasje partiake
Eugen Cakolli, duke reaguar lidhur me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, është shprehur se është e papranueshme që, më shumë se një ditë pas aktgjykimit, udhëheqja politike dhe institucionale e Kosovës ende nuk po e trajton këtë si çështje shtetërore.
Cakolli ka deklaruar se përmasat e këtij zhvillimi duhet të mjaftonin që përgjegjësia për vendin të merrte përparësi.
Sipas tij, spektri politik për vite me radhë ka folur për UÇK-në dhe interesin e Kosovës, duke pretenduar se e kupton më mirë se kushdo peshën e tyre, ndërsa sot, sipas tij, përgjigjja është ajo e një grumbulli partish dhe institucionesh që reagojnë veçmas.
“Angazhimi i deritanishëm, i mbështetur kryesisht në nisma individuale e qytetare, nuk e shkarkon politikën nga përgjegjësia që ka për situatën në tërësi”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.
Ai ka theksuar se vazhdimi me deklarime dhe nisma të ndara, sipas tij, e tregon thellësinë e përplasjeve partiake në vend.
“Asnjëherë më të papërfaqësuar institucionalisht e politikisht se sot!”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli është shprehur se as një ngjarje e kësaj përmase nuk po mjafton për ta nxjerrë klasën politike nga ajo që ai e quan logjikë të përplasjeve partiake.



