“Jo në emrin tim!” – thirret protestë për sonte në ora 21:00, në sheshin e Prishtinës

17 shtator 2026 | 17:59

Një protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e krerëve të UCK-së është thirrur për të enjten mbrëma në Prishtinë.

Njoftimin për protestën e sotme, e cila parashihet të zhvillohet sonte prej orës 21:00, në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet e ka shpërndarë Çlirim Haziri.

“Dje u mblodhëm sepse nuk pranuam të heshtim përballë padrejtësisë. Sonte vazhdojmë. Nuk do të ketë qetësi përballë padrejtësisë. Nuk do të ketë heshtje. Do të ketë zë. Do të ketë protestë. Sonte | 21:00, Sheshi “Skënderbeu”. JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar ai në Facebook.

Protesta e sotme i paraparin një tjetër të tillë që u njoftua sot për të premten, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Kosovës, të cilët kanë ftuar gjithë qytetarët në protestë masive, prej orës 12:00, në sheshin kryesor të Prishtinës.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…