Nga mbrojtja në Apel te protestat , OVL-UÇK shpalos planin e veprimit pas verdikti të Hagës

17 shtator 2026 | 17:56

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka prezantuar “Platformën e Veprimit të OVL-UÇK-së pas përgjigjësimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara”, përmes së cilës ka shpalosur qëllimet, kërkesat dhe mënyrat e veprimit pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.

Platforma është prezantuar nga Fatmir Sopi, i cili ka thënë se synimi kryesor është që reagimi ndaj zhvillimeve në Hagë të shndërrohet në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm.

“Qëllimi i Platformës është që OVL-UÇK ta shndërrojë reagimin pas aktgjykimit në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm”, ka deklaruar Sopi.

Sipas tij, prioritetet e platformës përfshijnë mbrojtjen në Apel, monitorimin e të drejtave të të akuzuarve, ruajtjen e debatit demokratik, amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara, kërkimin e përgjegjësisë politike, pjesëmarrjen qytetare paqësore, angazhimin ndërkombëtar dhe dokumentimin e historisë së UÇK-së.

Kërkohet rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara

Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë me procesin që çoi në krijimin e këtij mekanizmi.

“Rivlerësimi institucional i Dhomave duhet të analizojë raportin ndërmjet arsyeve që çuan në krijimin e mekanizmit, përfshirë pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës për trajtimin e gjerë të organeve, mandatit më të gjerë që iu dha më pas Dhomave, akuzave të ngritura dhe rezultateve konkrete të proceseve”, ka thënë Sopi.

Për zbatimin e platformës, OVL-UÇK parasheh krijimin e Këshillit Koordinues të Veprimit, nën përgjegjësinë e Kryesisë së organizatës.

“Për zbatimin e Platformës duhet të krijohet Këshilli Koordinues i Veprimit nën përgjegjësinë e Kryesisë së OVL-UÇK-së. Ai përcakton prioritetet, koordinon ekipet, miraton dokumentet strategjike dhe raporton për rezultatet”, ka deklaruar ai.

Katër ekipe për zbatimin e platformës

Në kuadër të platformës janë paraparë katër ekipe:

Ekipi Juridik dhe për Mbrojtjen;
Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar;
Ekipi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diasporë;
Ekipi për Dokumentim, Histori dhe Komunikim.
Ekipi Juridik dhe për Mbrojtjen do të merret me analizimin e aktgjykimit, qëndrimeve të Apelit, standardit të provës dhe garancive procedurale.

“Përgatit Memorandumin Juridik për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, përfshirë analizën e nenit 162 të Kushtetutës dhe pasojat e secilës alternative”, thuhet në platformë.

Ndërkaq, Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar do të përgatisë dhe dorëzojë kërkesa në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë, do të përcjellë përgjigjet institucionale dhe do të organizojë peticione e protesta paqësore.

OVL-UÇK kërkon amendamentimin ose shfuqizimin e ligjit

Një prej kërkesave kryesore të platformës është amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara.

“Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në platformë.

Sipas OVL-UÇK-së, kjo kërkesë duhet të mbështetet në një memorandum juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternativë.

Platforma kërkon gjithashtu që rivlerësimi të trajtojë raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, mandatin e Dhomave dhe rezultatet konkrete të hetimeve dhe proceseve.

Kërkohet mbështetje për mbrojtjen në Apel

OVL-UÇK ka paraparë mbështetje juridike dhe financiare për proceset në Apel.

“Të sigurohet mbështetje efektive për mbrojtjen në Apel sipas kornizës ligjore, për avokatë, ekspertë, hetues, analiza të provave, përkthime dhe ekspertiza të specializuara”, thuhet në platformë.

Organizata ka kërkuar që çdo kufizim që pretendohet se cenon efektivitetin e mbrojtjes të dokumentohet dhe të trajtohet institucionalisht.

Sa i përket Fondit të Solidaritetit, në platformë thuhet se ai duhet të shërbejë si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë.

Monitorim profesional i procesit në Hagë
Një tjetër pikë e platformës lidhet me krijimin e një mekanizmi profesional për monitorimin e procesit të Apelit dhe të drejtave procedurale.

“Të krijohet monitorim profesional për standardin e gjykimit të drejtë, barazinë e armëve, trajtimin e provave, arsyetimin e vendimeve, paraburgimin dhe garancitë procedurale”, thuhet në dokument.

OVL-UÇK ka propozuar që raportet e monitorimit të publikohen në shqip dhe anglisht dhe t’u dërgohen institucioneve relevante.

Platforma parasheh edhe analizimin e materialeve me origjinë nga institucionet serbe, përfshirë burimin, autenticitetin, zinxhirin e ruajtjes, kontekstin dhe peshën provuese.

Kërkohet përgjegjësi politike ndaj zyrtarëve

OVL-UÇK ka përfshirë në platformë edhe kërkesën për përgjegjësi politike ndaj ministrave dhe zyrtarëve për të cilët, sipas organizatës, ekzistojnë deklarata publike të dokumentuara kundër UÇK-së.

“OVL-UÇK duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe largimin nga Qeveria të ministrave dhe zyrtarëve të cilët ekzistojnë të deklarata publike të dokumentuara se kanë akuzuar UÇK-në, drejtuesit ose pjesëtarët e saj për krime lufte, jasje politike apo veprimtari kriminale, në rastet kur pretendimet nuk mbështeten në vendime gjyqësore që i vërtetojnë”, thuhet në platformë.

Për secilin rast, organizata kërkon përgatitjen e dosjeve me deklaratën konkrete, datën, burimin dhe faktet që e dokumentojnë atë.

Sipas platformës, kërkesa duhet t’i drejtohet kryeministrit si çështje e përgjegjësisë politike dhe besimit institucional.

Angazhim ndërkombëtar dhe dokumentimi i historisë së UÇK-së

Platforma parasheh zgjerimin e angazhimit me shtetet mike, parlamentet, institucionet universitare, institutet juridike, organizatat për të drejtat e njeriut dhe mediat.

“Përgatit Dosjen Ndërkombëtare, në anglisht dhe organizon komunikimin me shtetet mike, parlamente, institucione universitare, institute juridike, organizata për të drejtat e njeriut dhe media. Krijon rrjet të koordinatorëve të diasporës dhe mesazh të unifikuar”, thuhet në platformë.

Ndërkaq, për dokumentimin e historisë së UÇK-së, OVL-UÇK ka paraparë krijimin e Arkivit të UÇK-së, grumbullimin dhe digjitalizimin e dokumenteve, fotografive, videove, raporteve dhe dëshmive të veteranëve.

Organizata synon gjithashtu përgatitjen e materialeve profesionale në shqip dhe anglisht, si dhe krijimin e një programi të historisë gojore.

Protesta, peticioni dhe lobimi ndërkombëtar

Në pjesën për mjetet e veprimit, platforma përcakton protestat paqësore, peticionin kombëtar, iniciativat juridike dhe parlamentare, kërkesat zyrtare drejtuar institucioneve, monitorimin profesional, financimin transparent të mbrojtjes, lobimin ndërkombëtar, rrjetin e diasporës, komunikimin publik dhe dokumentimin historik.

“Protesta duhet të ketë kërkesa të qarta. Iniciativa për Ligjin nr. 05/L-053 duhet të ketë memorandum juridik. Kërkesa për përgjegjësi politike duhet të ketë deklarata dhe burime të dokumentuara. Lobimi duhet të ketë dosje profesionale. Fondi duhet të ketë transparencë dhe auditim. Historia duhet të ketë arkiv”, ka përfunduar Sopi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat…