Geoffrey Nice: Që nga Raporti i Dick Martyt, kishte indikacione që Specialja ishte me objektiva politike
“Para së gjithash, unë jam marrë me këtë çështje për rreth 15 vjet. Fillimisht nuk jam angazhuar nga Kosova, por krejtësisht në mënyrë të pavarur, nga një revistë letrare, dhe kam arritur në përfundimin se kishte diçka befasuese dhe ndoshta politike, e jo thjesht juridike, në atë që po ndodhte me Raportin e Martyt, për të cilin ju dhe shikuesit tuaj mund të dini diçka. Bëhej fjalë për një raport të cilit iu referuan në Këshillin e Evropës, ku pretendohej se Thaçi dhe të tjerë kishin qenë të përfshirë në marrjen me forcë të organeve”, ka thënë për T7 ish-Prokurori i Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi që ndoqi Millosheviqin.
“Që nga ai moment, kishte tregues se kjo gjykatë ishte politike, në kuptimin se drejtohej nga objektiva politike që nuk ishin të qarta. Aktgjykimi i shpallur dje është një përmbledhje. Si dokument zyrtar, ai nuk është shumë i dobishëm, sepse përmbledhja bën pohime kategorike dhe nuk identifikon prova konkrete, për shembull, që i lidhin të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata thotë se janë provuar”, ka shtuar ai tutje.



