Dënimi i liderëve të UÇK-së, Balla: Turp i Speciales! Pa UÇK-në nuk do të vinte liria
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Në deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se aktgjykimi nuk mund ta rishkruajë historinë e një populli dhe as ta barazojë, sipas tyre, viktimën me agresorin.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë për “Klan Kosova”, e ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të padrejtë.
Balla ka kundërshtuar veçanërisht mënyrën se si, sipas tij, në aktgjykim është trajtuar roli i UÇK-së në luftën e Kosovës.
“Nuk dua të merrem me pjesën e viteve të dënimit të padrejta, por dua të merrem me turpin e shkruar në aktgjykim i cili mundohet të ndërtojë një tablo krejtësisht tjetër të historisë së lavdishme të UÇK-së”, ka deklaruar Balla.
Ai ka thënë se nuk pajtohet me konstatimet e gjykatës lidhur me qëllimin dhe rolin e UÇK-së, duke pretenduar se ato përbëjnë një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si është interpretuar historia e Kosovës.
“Të thuash se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krijuar me qëllimin e një ndërmarrjeje kriminale, për të marrë pushtetin në Kosovë […] këtu kuptohet fare thjeshtë që kemi të bëjmë me një trillim, me një përpjekje për të rishkruar historinë e Kosovës”, tha ai.
Balla ka theksuar se historia e Kosovës, sipas tij, është e lidhur ngushtë me UÇK-në dhe se lufta çlirimtare duhet të shihet edhe në kontekstin e mbështetjes së mëvonshme ndërkombëtare.
“Pa UÇK-në nuk do të kishte ardhur liria, duke nënvizuar faktin që ishte UÇK-ja ajo që filloi çlirimin, e më pas çlirimi erdhi patjetër me mbështetjen e fuqishme të NATO-s”, ka thënë Balla.
Deklaratat e Ballës vijnë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.



