Pleurat Sejdiu për Flora Brovinën: Me të drejtë u quajt luaneshë shqiptare
Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë po mbahet ceremonia përkujtimore për mjeken, humanisten, veprimtaren dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.
Në këtë ceremoni, në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës ka folur doktori Pleurat Sejdiu, i cili ka vlerësuar lart jetën dhe kontributin e Brovinës në mjekësi dhe në shërbim të shoqërisë.
Sejdiu ka thënë se Brovina ishte një “shëruese e vërtetë”, ndërsa ka rikujtuar edhe epitetin me të cilin ajo është njohur ndër vite – “Luaneshë Shqiptare”.“Të gjithë ata që e njohën, e dinë që doktoresha Flora ishte shëruese e vërtetë. Me të drejtë u quajt Luaneshë Shqiptare. Ajo mori përgjegjësi që t’i mbronte luanët e vegjël të Kosovës”, ka thënë Sejdiu.
Duke folur për familjen e të ndjerës, Sejdiu ka theksuar se ata duhet të jenë krenarë për jetën dhe veprën e saj.“Familje e nderuar, të jeni krenarë për nënën, shtyllën e shtëpisë suaj. Është nder për ne që e kemi njohur, ndërsa ju që jeni brumosur nga ajo, të jeni gjithmonë faqebardhë, gjithmonë kokëlartë”, është shprehur ai.
Në fund të fjalës së tij, doktori Sejdiu e ka përshëndetur për herë të fundit Brovinën me një mesazh nderimi: “Pusho në paqe luanesha jonë”.



