Koha për të vepruar të bashkuar për UÇK-në
Lulëzim ETEMAJ
Verdikti i Hagës i 16 shtatorit 2026 kundër katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, e ka gjetur Kosovën pa institucione të formuara.
Dje, një ditë pas verdiktit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilloi takime me liderët Kurti, Abdixhiku dhe Gjini. Është njoftuar se takimet u zhvilluan me kërkesën e tij dhe se, sipas tij, në to u diskutua për situatën e krijuar, sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe mundësitë për bashkëpunim politik.
Ajo që nuk u tha publikisht, as më parë dhe as pas këtyre takimeve, është se Haga, përkatësisht rezultati i saj, përbën një dështim për shtetin e Kosovës në aspektin politik, institucional, diplomatik dhe shoqëror, në raport me luftën për mbrojtjen e figurës së UÇK-së. Ky është një dështim si për partitë politike, pa përjashtim, ashtu edhe për shoqërinë tonë. Madje, është dështim edhe për Shqipërinë.
Është, po ashtu, një dështim i veçantë i lobeve në Evropë dhe Amerikë.
Pa u lexuar dhe analizuar drejt verdikti i Hagës, është iluzore të pritet një rezultat pozitiv në Apel.
Protestat dhe tubimet solidarizuese janë të mirëseardhura, por koha dhe problematika kërkojnë dukjen dhe veprimin e shtetit tonë.
Beteja e koordinuar duhet të përqendrohet në tri rrafshe: juridik, diplomatik dhe mediatik.
Në rrafshin diplomatik duhet të angazhohen edhe figura publike me ndikim ndërkombëtar, si Rita Ora, Dua Lipa, Granit Xhaka etj. Këta të fundit tashmë kanë shpërndarë logon e UÇK-së, në shenjë mbështetjeje të luftës së saj çlirimtare. Në rrafshin mediatik, nevojiten shkrime dhe analiza në gazeta e media prestigjioze ndërkombëtare.
Është koha e fundit të pranohet fakti se, pa e pasur të përbashkët UÇK-në, nuk mund ta kemi as Kosovën.
Ky është parakushti, nëse vërtet synohet një mobilizim i gjithanshëm për të arritur një rezultat të suksesshëm në Gjykatën e Apelit.



