‘Secili duhet ta pranojë faktin se kur ftohet mund të mos luajë’, Foda komenton pensionimin e Rrahmanit dhe Hadërgjonajt
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka komentuar vendimet e Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonajt për t’u pensionuar nga Kombëtarja e Kosovës.
Foda ka bërë me dije se i ka uruar sukses Rrahmanit dhe Hadërgjonajt, ndërsa ka treguar se ka provuar ta bindë Rrahmanin që të ndryshojë vendimin e tij.
“Më ka telefonuar dhe kemi biseduar. Sigurisht, detajet do të mbesin mes nesh. Kam kontaktuar për t’ia ndryshuar mendjen dhe nuk kam mundur. Ai e ka marrë vendimin dhe të gjithë duhet ta pranojmë. I urojmë më të mirat”, ka thënë Foda.
Sa i përket Hadërgjonajt, përzgjedhësi gjerman ka deklaruar se ka mbetur i befasuar nga vendimi i tij, duke theksuar se lojtari nuk e ka kontaktuar personalisht.
“Nuk më ka kontaktuar, vendimin e tij e kam parë përmes mediave. Duhet ta pranojmë edhe vendimin e tij, por më duhet të theksoj se të gjithë lojtarët që i ftoj, iu jap besimin tim të plotë. Të gjithë i përkrah dhe faktikisht nuk mund ta kuptoj arsyen se pse është tërhequr nga Kombëtarja”, është shprehur Foda.
Ai ka theksuar se respekton vendimin e Hadërgjonajt, ndërsa ka nënvizuar se lojtarët duhet të jenë të gatshëm të japin maksimumin për Kosovën.
“Më duhet ta pranoj dhe i uroj më të mirat në të ardhmen. Për mua ka rëndësi që kushdo që është në dispozicion, ai duhet të luajë me zemër për Kosovën, të jetë i gatshëm për të luajtur dhe gjithmonë të japë maksimumin për Kosovën. Secili duhet ta pranojë faktin se kur ftohet mund edhe të mos luajë”, ka deklaruar Foda.
Kosova të hënën nga ora 17:00 do ta zhvillojë seancën e parë stërvitore.



