A e refuzoi ftesën Ibrahimovici? Foda shpalos detajet dhe tregon si i bindi Osmanin, Avdylin e Kacurin

21 shtator 2026 | 12:50

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka deklaruar se nuk i ka dërguar ftesë zyrtare Arijon Ibrahimovicit, por ka bërë me dije se është në kontakt me yllin e Augsburgut prej afro një viti.

Ibrahimovici ka marrë ftesë nga Gjermania U21, ndërsa Foda ka theksuar se situata rreth përfaqësimit të tij në nivel ndërkombëtar mbetet për t’u parë.

“Jo, Arijoni nuk ka marrë ftesë nga ana ime, por jam në kontakt që thuajse një vit me të dhe herë pas here shkëmbejmë mesazhe. Të shohim se si do të shkojë situata”, ka thënë Foda.

Duke folur për objektivat e Kosovës në ndeshjet e ardhshme, Foda ka theksuar se skuadra duhet të dëshmojë sërish veten dhe të vazhdojë me rezultate pozitive.

“Futbolli nuk shkon me të kaluarën, por jetojmë në të tashmen. Tash duhet ta dëshmojmë nga e para sërish. Futbollistët të jenë të gatshëm qysh të enjten”, ka deklaruar ai.

“Unë pres që lojtarët të jenë të uritur për fitore dhe është me rëndësi që rezultatet në të kaluarën të mos ndalen, por të vazhdojmë. Është e vërtetë që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, si Austrinë, Irlandën dhe Izraelin. Do të provojmë të gjejmë një ekip të mirë, të bashkuar që dëshiron të luajë futboll të mirë”, është shprehur Foda.

Ai ka theksuar se pas gjashtë ndeshjeve do të bëhet vlerësimi i situatës në grup.

“Pas gjashtë ndeshjeve, do t’i mbledhim pikët dhe të shohim se ku jemi”, ka theksuar përzgjedhësi i Kosovës.

Foda ka folur edhe për tri afrimet e reja në Kombëtare, Erblin Osmanin, Milot Avdylin dhe Dion Kacurin.

Për Avdylin, Foda ka deklaruar se paraqitjet e tij të mira në sezonin e kaluar i kanë dhënë arsye për ta ftuar në Kombëtare.

“Kemi tre lojtarë të rinj të ftuar. Avdyli që ka luajtur një sezon të mirë dhe ka pasur paraqitje shumë të mira. Ai luajti në mbrojtje në anën e majtë, por edhe në ofansivë, pra mund të luajë në disa pozita. E ka merituar ftesën time”, ka thënë Foda.

Sa i përket Kacurit, përzgjedhësi ka treguar se e ka përcjellë edhe më herët gjatë kohës kur luante për Baselin.

“Kacurin e kam njohur edhe më herët, e kam përcjellë kur ka luajtur për Baselin. Është lojtar mesfushor shumë i mirë, në mënyrë universale luan në shumë pozita dhe për të ardhmen e Kosovës ka potencial”, ka deklaruar ai.

Foda ka treguar gjithashtu se me Osmanin kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm për disa muaj dhe se paraqitjet e tij e kanë bindur për ta ftuar në Kombëtare.

“Për Osmanin që disa muaj kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Ai ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe më ka bindur. Të gjithë kemi pasur kontakt me të, nga presidenti te Bajrami. Të gjithë e kemi kontaktuar dhe e kemi bindur. Ai luan me zemër për Kosovën, luan me pasion dhe kjo më pëlqen te lojtarët”, ka theksuar Foda.

Ai ka shtuar se lojtarët e rinj mund t’i japin energji të re Kombëtares, por duhet ta dëshmojnë veten që nga fillimi.

“Këta lojtarë i japin energji të re Kombëtares, por secili duhet të dëshmohet nga fillimi”, ka përfunduar Foda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka komentuar vendimet e Amir…