Pas perdes së Hagës. Pjesa e padukshme e GJYQIT TË SHEKULLIT
Shkruan: Arsim Lani
Prisnim që seanca të niste. Të gjithë ne që ishim në galeri bisedonim, jepnim mendime e prognoza, hamendësonim për vendimin, por asnjëri nuk fliste për dënimin. Ishte krijuar bindja, nga ajo që kishim parë e dëgjuar gjatë procesit, se gjykata nuk mund të sillte një vendim tjetër, përveç atij lirues.
Të parin që e takova para se të hyja në galeri ishte vëllai i Thaçit. Edhe nëse deri aty kisha ndonjë dilemë, ai ma hoqi. “Mirë po bahet, kismet”, më tha, duke ma rrahur krahun për të më dhënë edhe më shumë siguri në atë që po thoshte.
Aty ishte edhe vëllai i Rexhës – Naimi. E pyeta për pritjet, por ai nuk më tha me siguri se vendimi mund të ishte lirues. M’i përmendi fëmijët e dëshmorëve që rriten pa prindër dhe më tha se e kanë më të lehtë për ta përballuar edhe ndonjë dënim eventual për vëllain e tij – të 10-in e UÇK-së.
Hyna brenda në sallë. Pjesa kryesore e ulëseve në galeri ishte ruajtur për familjarët. Ata kishin zënë vendet dhe, në heshtje, prisnin momentin kur do të hapej perdja që ndante publikun nga salla e gjyqit. Rreshti i parë ishte për familjet Thaçi e Veseli, më pas vinin familjet Selimi dhe Krasniqi.
Ulëset e tjera ishin për gazetarë, diplomatë, ministra… Andin Hoti dukej tepër i stresuar. Bisedonte me secilin. Prania e tij në sallën e gjyqit e kthente në kohën kur gjykohej e dënohej babai i tij, Ukshini. Glauku qëndronte ulur. Nuk fliste me askënd. Si djalë i një të burgosuri politik, skenat që do t’i shfaqeshin do ta kthenin edhe atë në fëmijërinë e dhimbshme nëpër të cilën kishte kaluar.
Koha e fillimit të seancës të gjithëve na gjeti ulur. Në këmbë qëndronin vetëm policët, të cilët do të kujdeseshin të na tërhiqnin vërejtjen sa herë dikush fliste ose bënte ndonjë lëvizje të vogël. Me vete kisha vetëm laps dhe letër. Gjithçka tjetër e dorëzuam një kat më poshtë. Madje edhe lapsin ma kontrolluan rojet, duke menduar se mund të kishte të instaluar ndonjë kamerë. Me këtë laps, pa kamerë, e shkrova në faqen e parë të bllokut: “Gjyqi i shekullit.”
Isha shumë i lumtur që po merrja pjesë në këtë gjykim historik, i bindur se do të kisha mundësinë ta jepja një lajm për lirimin e çlirimtarëve. Kisha edhe planin që, sapo të dilja, të vrapoja nga galeria drejt telefonit që e kisha lënë poshtë, për ta dhënë lajmin e madh, para se bota ta merrte vesh atë përmes televizionit që seancën e transmetonte me 10 minuta vonesë.
E mendoja secilin variant, por jo dënimin. Të gjitha mendimet u ndalën kur perdja që ndante publikun me sallën nisi të ngrihej. Familjarët drejtuan shikimin poshtë, për t’i ndeshur sytë me shikimet që vinin nga ata që ishin në sallën e gjyqit dhe ndaj të cilëve pritej aktgjykimi. Veç perdes ishte edhe një xham i trashë, përmes të cilit nuk depërtonte asgjë tjetër përveç pamjeve. Zëri nuk dëgjohej. Pa u hapur mirë perdja, nisën përshëndetjet nga distanca, shikimet e munguara, buzëqeshjet – pas të cilave fshihej frika nga e panjohura. Endriti zgjati duart drejt xhamit ndarës dhe dukej se po mundohej të depërtonte deri te babai i tij, i cili po e shikonte, pa pasur mundësi të flisnin apo të dëgjoheshin. Klestori kishte bërë simbolin e zemrës, teksa me sy komunikonte me babain. Të gjithë mundoheshin t’i shihnin sa më mirë familjarët e tyre dhe, nga ky vështrim, të kuptonin më shumë sesa mund të thoshte një shikim. Filloi seanca. Gjykatësi plak, i cili pak minuta më vonë do të bëhej njeriu më i urryer, bëri disa paralajmërime edhe për personat në galeri. Nuk doja t’i merrja si sinjale negative, ndonëse ato ishin. “Çfarëdo që të jetë vendimi, nuk lejohet ndonjë reagim…”, vazhdoi ai të fliste.
Heshtje në galeri. Askush asnjë fjalë. Të gjithë sytë dhe veshët ishin te kryegjykatësi. Fillimi ishte i mirë. Kryetari i trupit gjykues po e lironte gradualisht katërshen e UÇK-së nga akuzat për krime kundër njerëzimit. “Shpëtuam”, thashë me vete. Dhe nga gëzimi nisën të më shkonin lotët. Të gjithë që ishim aty filluam të merrnim frymë më lirshëm.
Për një çast, Endriti u kthye nga unë dhe më shikonte. Sikur donte ta merrte një konfirmim edhe nga dikush tjetër për atë që veshët po i dëgjonin. Ia ngrita gishtin e madh, duke i bërë me shenjë: “Mirë është puna.”
Më nuk u shikuam. Puna nisi të shkonte keq. Gjykatësi Smith filloi t’i numëronte “krimet” që ishin kryer, duke lënë fajtorë katërshen e UÇK-së. Fatoni, një avokat i njohur, disa herë i pëshpëriti në vesh Endritit dhe, po aq herë, mori vërejtje nga rojet që rrinin mbi kokat e tyre. Dukej se mundohej t’i jepte shpresë. Por çdo fjalë ishte e kotë pas asaj që po fliste një gjykatës, i cili dukej se e kishte bërë të qartë se katërshen e UÇK-së do ta shpallte fajtorë.
“Zoti Thaçi, ngrihuni në këmbë”, tha Smith. Unë prisja të shihja cili do të ishte reagimi i familjes pas verdiktit që tashmë dihej se do të ishte dënues. “Gjykata ju shpall fajtor dhe ju dënon me një burgim unik prej 25 vitesh”, tha ai. Atyre, të cilëve për një moment iu shemb bota, qëndruan të fortë. Asnjë fjalë. Asnjë sharje nën dhëmbë. Asnjë lot nuk u doli. Pas disa minutash, Endriti u largua nga salla.
Brenda mbeti vëllai i Thaçit, që duket se ishte përmbajtur sa e kishte nipin afër dhe, në momentin që ai u largua, shpërtheu në vaj. Radha ishte për Bacin Jakup. Qëndrimi burrëror i Krasniqit në sallë ishte i njëjtë me atë të familjes së tij që qëndronte në galeri. Klestori e dinte çfarë e priste dhe vetëm shikonte në drejtim të babait. Ishte i qetë dhe ashtu e priti edhe verdiktin dënues. Një djalë i ri, që sapo kishte dëgjuar dënimin e babait të tij me 18 vjet burg, nisi t’i qetësonte axhallarët, të cilët megjithatë nuk mundën ta përmbanin veten dhe nxorën nga një “fjalë” për gjykatësin dhe Gjykatën Speciale. Asnjë zë, asnjë sharje nuk u dëgjua as kur u shqiptua dënimi për Rexhën. Kryelartë Rexha në sallë, kryelartë familja në galeri.
Perdja ra sërish.
Ajo që për pak minuta kishte ndarë familjarët nga të dashurit e tyre, tani i ndante edhe nga shpresat me të cilat kishin hyrë në atë sallë.
Dolëm të dërmuar nga aty. U larguam me kokën ulur, me fjalët që na kishin mbetur në fyt. Lamë brenda katër burra e bashkë me ta lamë edhe një pjesë të historisë që e kishim besuar si të paprekshme.
Atë ditë nuk dola nga gjykata me lajmin që kisha shkruar në mendje. Dola me një tjetër fjali, që nuk pata guxim ta shkruaja e ta them askund.



