Mediumi gjerman kritikon vendimin e Hagës: Thaçi 25 vjet, ndërsa zyrtarë serbë të dënuar për krime kundër njerëzimit morën dënime më të ulëta

21 shtator 2026 | 20:18

Mediumi gjerman “Cicero” ka publikuar një analizë të gjerë për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke ngritur pikëpyetje veçanërisht për masën e dënimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në analizën e publikuar më 20 shtator, autori Alexander Rhotert vëren se të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe e cilëson të kuptueshme kritikën që ka ardhur nga Kosova për lartësinë e dënimeve.

“Cicero” sjell në vëmendje krahasimin me disa figura nga Serbia dhe Bosnja, të dënuara nga Tribunalet ndërkombëtare për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Mediumi përmend Biljana Plavšić, e dënuar me 11 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vojislav Šešelj me 10 vjet, Jovica Stanišić me 15 vjet, si dhe ish-gjeneralin e policisë serbe Vlastimir Đorđević, i dënuar me 18 vjet burg. Për këtë të fundit, artikulli rikujton se ishte dënuar lidhur me krime ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës. ⁠

Në këtë kontekst, autori shkruan se, krahasuar me raste të tjera nga ish-Jugosllavia ku janë shqiptuar dënime për krime kundër njerëzimit, dënimi prej 25 vjetësh ndaj Thaçit duket dukshëm më i rëndë.

Sipas analizës, pikërisht krahasimi ndërmjet rastit të Thaçit dhe atij të Đorđevićit ngre të paktën “një pikëpyetje”, ndonëse autori nënvizon se bëhet fjalë për dy gjykata të ndryshme. ⁠

“Cicero” thekson po ashtu se Gjykata nuk ka konstatuar se të dënuarit kishin synim dëbimin apo vrasjen masive të jo-shqiptarëve dhe se akuza nuk arriti ta provonte një synim të tillë.

Analiza është shkruar nga Alexander Rhotert, politolog që studion ish-Jugosllavinë që nga viti 1991 dhe që, sipas biografisë së publikuar nga “Cicero”, ka punuar për rreth 20 vjet në struktura të OKB-së, NATO-s, OSBE-së, OHR-së dhe BE-së.

Link:https://www.cicero.de/aussenpolitik/hashim-thaci-kriegsverbrecher-kosovo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti Shukri Buja ka reaguar nga Donika Gërvallës, duke u…