Vendoset mbishkrimi te Kuvendi: “Deputetët që s’e mbështesin ndryshimin dhe plotësimin e ligjit përballen me popullin“
Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e gjashtë të protestave kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në shesh është vendosur mbishkrimi: “Deputetët që s’e mbështesin ndryshimin dhe plotësimin e ligjit përballen me popullin”.
Gjatë protestës është lexuar edhe njëherë betimi i ushtarit të UÇK-së, me ç’rast është elektrizuar masa e mbledhur në shesh. Para protestuesve është lexuar edhe përshëndetja e ish-presidentit Hashim Thaçi, e dërguar nga Haga.
Protestat kundër vendimit të Hagës kanë vazhduar edhe gjatë ditës. Paradite, protestë kanë mbajtur studentët e universiteteve publike dhe private në Kosovë.
Protestat në sheshin “Skënderbeu” po vazhdojnë për të gjashtën natë radhazi, me qytetarë që kundërshtojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.



