Cadman: Dëshmitë e mbrojtjes u shpërfillën, apeli mund t’i rrëzojë aktgjykimet

22 shtator 2026 | 13:01

Avokati britanik, Toby Cadman, ka komentuar dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke i cilësuar veçanërisht dënimet prej 25 vitesh për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin si “shumë zhgënjyese”.

Cadman, i cili më herët ka përfaqësuar Nasim Haradinajn dhe ka njohuri për mënyrën e funksionimit të Speciales, ka deklaruar se mbrojtja duhet të fokusohet në mënyrën se si janë trajtuar dëshmitë e dëshmitarëve të saj gjatë procesit.

“Sa i përket apelit, mendoj që duhet të argumentohet shpërfillja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes. Dëshmitë e mbrojtjes janë shpërfillur plotësisht dhe kjo duhet të argumentohet fuqishëm në apel dhe potencialisht të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve. Si avokat, kam gjithmonë shpresë dhe besim në institucionet gjyqësore”, ka thënë Cadman.

Ai është shprehur se ndjekja penale vetëm e njërës palë të konfliktit ndikon, sipas tij, në legjitimitetin e institucionit. Cadman ka theksuar gjithashtu se Specialja është një tribunal ndërkombëtar “në çdo aspekt, përveç emrit”.

“Reagimi im i parë ishte se kjo ishte një formë e pritshme, por është shumë zhgënjyese, sidomos shkalla e lartë e dënimit. Është kohëzgjatje shumë e madhe e dënimit, sidomos për Thaçin dhe Krasniqin, që u dënuan me 25 vjet. Kur një proces është ngritur për të ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit, veçanërisht palën që ka vuajtur më së shumti, kjo ndikon në legjitimitetin e institucionit”, ka deklaruar ai.

Cadman ka komentuar edhe faktin që aktgjykimet jepen në emër të popullit të Kosovës, duke iu referuar edhe protestave me sloganin “Jo në emrin tim”.

“Është e vështirë që kjo të barazohet me një gjykatë të Kosovës. Ky është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit”, ka theksuar ai.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit të ligjit për Specialen, Cadman ka vlerësuar se kjo do të ishte e vështirë për shkak të presionit ndërkombëtar. Ai ka përmendur edhe mundësinë që procedurat e apelit të zhvillohen në Kosovë, duke argumentuar se ligji, sipas tij, nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Cadman ka theksuar se marrëveshja e shtetit pritës është një marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Holandës dhe ka përmendur mundësinë që autoritetet e Kosovës ta shqyrtojnë edhe çështjen e arbitrazhit.

Sipas tij, edhe pse Kosova nuk ka kompetencë t’i kërkojë Speciales dhe Bashkimit Evropian zhvendosjen e procedurave, nuk ka, sipas tij, ndonjë pengesë ligjore që seancat e apelit të zhvillohen në Kosovë.

“Unë e kam mbështetur këtë edhe për arsyen se gjykata nuk ka qasje nga populli i Kosovës”, ka thënë Cadman. /Euronews

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të zhvillimit dhe avancimit të vazhdueshëm të kapaciteteve…