Haziri paralajmëron Qeverinë: Mos prisni që java e dytë të jetë si e para
Njëri nga folësit dhe organizatorët e protestës kundër vendimit të Hagës, Çlirim Haziri, ka paralajmëruar institucionet për intensifikimin e protestave.
Në natën e shtatë të tubimit, Haziri tha se protestuesit presin reagim institucional, duke përmendur edhe projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Tash është koha që institucionet të përgjigjen! Sepse një javë kemi pritur. Një javë kemi protestuar. Një javë kemi folur qetë”, tha ai.
Neziri iu drejtua drejtpërdrejt institucioneve: “MOS PRISNI QË JAVA E DYTË TË JETË SI E PARA!”
Ai tha se protestat do të vazhdojnë nëse nuk ka përgjigje ndaj kërkesave të tyre.
“Çdo ditë pa përgjigje do të na gjejë përsëri këtu. Dhe sa më gjatë të heshtni, aq më shumë do të rritet zëri i këtij sheshi!”, deklaroi Haziri
Fjalimi i plotë:
Vëllezër dhe motra! Sonte u bë NJË JAVË!
Shtatë ditë. Shtatë net. Çdo natë, në të njëjtën orë. Çdo natë, në të njëjtin shesh. Çdo natë, bashkë për UÇK-në!
Dhe sonte dua t’ju them vetëm një gjë: SHIKOJENI NJËRI-TJETRIN!
Pas një jave jemi ende këtu. Nuk jemi lodhur. Nuk jemu larguar. Nuk kemi heshtur. Dhe kjo është përgjigjja më e fuqishme për këdo që ka menduar se kjo protestë do të zgjasë një natë, dy net, e pastaj do të shuhet. JO!
Por çfarë janë shtatë net të qëndrimit tonë në këtë shesh, përballë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë?
Sot janë bërë 28 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.
Para sakrificës së Fehmiut dhe Xhevës, qëndrimi ynë shtatë net në këtë shesh është pak! E sidomos sot, 28 vjet më vonë, kur po tentohet të njolloset lufta për të cilën ata dhanë jetën.
Prandaj nuk lodhemi! Nuk largohemi! QËNDROJMË!
Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Vëllezër dhe motra, Dikush ka menduar se do të dilnim një natë. Dikush ka menduar se pas dy-tri netësh do të lodheshim. Dikush ka pritur që ky shesh të zbrazej.
Por le ta shohin këtë shesh sonte! JEMI ENDE KËTU!
Sepse nuk jemi mbledhur për një fotografi. Nuk jemi mbledhur për një parti politike. Jemi mbledhur për një kauzë. JEMI BASHKË PËR UÇK-në!
Dhe prej këtij sheshi, tash e shtatë net, po dëgjohet një thirrje që duhet ta dëgjojnë kudo: JO NË EMRIN TIM!
Kur ne besojmë se po tentohet të njolloset lufta e UÇK-së: JO NË EMRIN TIM!



