Kallas: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ecë përpara
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian Kaja Kallas, ka shkruar për takimet që ka pasur në New York, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ajo vuri në pah nevojën për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah.
Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale”, ka shkruar Kallas në X.
Kallas theksoi se BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetës i paanshëm. Por lehtësimi i dialogut nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.
“Është koha për të ecur përpara”, përfundon mesazhi i saj.



