Camavinga s’është më i paprekshëm? Galatasaray po mendon ta transferojë në janar

23 shtator 2026 | 11:33

Eduardo Camavinga po kalon një periudhë të vështirë te Real Madridi, ndërsa e ardhmja e tij në kryeqytetin spanjoll ka nisur të vihet në pikëpyetje.

Mesfushori francez mund të largohet nga “Los Blancos”, me Galatasarayn që po monitoron situatën dhe po shqyrton mundësinë për të bërë një ofertë në afatin kalimtar të janarit.

Megjithatë, aktualisht nuk ka negociata konkrete. As Real Madridi dhe as vetë Camavinga nuk duket se janë të gatshëm ta konsiderojnë një ndarje në këtë fazë.

Sipas “Tuttomercatoweb”, ajo që ka nxitur zërat për një largim është minutazhi i 23-vjeçarit gjatë këtij sezoni. Camavinga ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje dhe nuk ka arritur të marrë një rol protagonist në rotacionin e trajnerit Jose Mourinho.

Situata është e befasishme për një futbollist që iu bashkua Real Madridit në vitin 2021 nga Rennes dhe që konsiderohej një prej mesfushorëve më premtues të gjeneratës së tij.

Camavinga u përshtat shpejt në Madrid dhe u shndërrua në një lojtar të rëndësishëm, veçanërisht gjatë rrugëtimit drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2022.

Paraqitjet e tij nga stoli i dhanë energji dhe cilësi Real Madridit në disa prej përmbysjeve të famshme evropiane të klubit.

Në vitet pasuese, aftësia për të luajtur edhe si mbrojtës i majtë e ka bërë Camavingan një alternativë të dobishme për skuadrën. Megjithatë, kjo gjithashtu ka ndikuar që ai të mos konsolidohet plotësisht në pozicionin e tij natyral në mesfushë.

Galatasaray po vazhdon ta monitorojë situatën dhe mund të tentojë transferimin e tij në janar, por për momentin një marrëveshje konkrete nuk është në tryezë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eugen Cakolli, ka reaguar lidhur me zhvillimet në vend, një…