‘Do të ishim të lumtur edhe me një barazim’, trajneri i Irlandës vlerëson Kosovën
Trajneri i Kombëtares së Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka vlerësuar lart Kosovën në konferencën për media para ndeshjes së nesërme në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Hallgrimsson ka theksuar se pret një përballje të vështirë, duke thënë se skuadra e tij do të ishte e kënaqur edhe me një barazim në Prishtinë.
“Padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, të gjithë e dimë këtë. I kemi analizuar mjaft mirë dhe i kemi shqyrtuar pikat e tyre të forta, të cilat i kanë shumë. Do të ishim të lumtur të fitonim këtu edhe një barazim, ndeshja e parë e një turneu”, ka deklaruar ai.
Trajneri irlandez ka folur edhe për zhvillimin e Kombëtares së Kosovës, duke e cilësuar si të jashtëzakonshme rritjen e saj në vitet e fundit.
“Para së gjithash, jam impresionuar duke parë rritjen nga viti 2016, kur ishin të 190-të në renditjen e FIFA-s, sot janë në vendin e 78-të, kështu që kjo është një rritje e jashtëzakonshme. Shumë mirë për federatën këtu për mënyrën se si i kanë zhvilluar lojtarët e tyre”, është shprehur Hallgrimsson.
Ai ka shtuar se Irlanda duhet të jetë e përqendruar maksimalisht përballë Kosovës.
“Gjithçka varet nga mënyra se si luajmë. Mendoj se lojtarët janë gati për këtë. Sigurisht, duhet të përqendrohemi në lojën kundër tyre. Kjo është një detyrë e vështirë për momentin. Por kur bëhet fjalë për ndeshjen, do të jemi plotësisht të gatshëm për atë që do të vijë”, ka thënë ai.
Hallgrimsson ka veçuar edhe disa prej futbollistëve të Kosovës, me sulmuesin Vedat Muriqi në krye.
“Lojtari që duhet t’i kushtojmë vëmendje është Vedat Muriqi, golashënuesi i dytë në La Liga sezonin e kaluar, duke bërë paraqitje të mëdha. Po ashtu, ai shënoi katër gola javën e kaluar për Fenerbahçen. Gjithashtu, Fisnik Asllani është një lojtar i shkëlqyeshëm. Por Kosova ka në përgjithësi ekip të mirë, me lojtarë që luajnë në klube të mëdha si Juventusi, Besiktasi dhe Udinese”, ka deklaruar trajneri i Irlandës.



