Cakolli: Zgjedhjet më 8 ose 15 nëntor, Kushtetuesja nuk sqaroi kush i cakton në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit
Eugen Cakolli nga IKD-ja ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Cakolli ka thënë se vendimi i Kushtetueses e pamundëson zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve, duke përcaktuar fillimin e rrjedhjes së afateve të tjera kushtetuese pas tejkalimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk e ka sqaruar se kush do ta caktojë datën e zgjedhjeve të reja, nëse më 6 tetor dështon zgjedhja e Presidentit.
“Praktikisht, Gjykata Kushtetuese paska thënë se pas zgjedhjeve, institucionet përkatëse duhet të zgjedhen dhe formohen brenda një kornize ~90-ditëshe pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.
Sipas tij, vendimi e pamundëson zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve përmes moskonstituimit të Kuvendit, pasi përcakton si pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve të tjera kushtetuese.
“E diskutueshme dhe e patrajtuar nga Gjykata Kushtetuese mbetet se, sot dy javë (7 tetor), kush do ta caktojë 8 ose 15 nëntorin si datë të zgjedhjeve të reja, nëse eventualisht nuk arrihet të zgjedhet suksesshëm Presidenti”, ka shkruar Cakolli.



