Familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Presim përgjegjësi shtetërore dhe unitet qytetar
Familjet e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në lidhje me zhvillimet pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një letër të publikuar nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet në letër.
Familjet kanë vlerësuar gjithashtu ftesën për takim nga Albulena Haxhiu, por kanë bërë të ditur se preferojnë që takimi të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit.
“Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve Thaçi, Veseli dhe Krasniqi.



