Zulfaj kërkon mbështetjen e Bundestagut për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës në BE
Në Bundestagun gjerman, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj zhvilloi takim me Anton Hofreiter, kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe deputetin e Aleancës 90/Të Gjelbrit, zëvendës kryetarin e Komisionit dhe deputetin e SPD-së, Johannes Schraps, dhe Peter Beyer, anëtarin e Komisionit dhe deputetin e CDU/CSU-së.
Sipas një njoftimi për media Zulfaj u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
“Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e popullit të Kosovës për solidaritetin dhe përkrahjen gjermane në momentet vendimtare të historisë sonë – nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te rruga drejt pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Në fokus të takimit ishte avancimi i Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Zulfaj theksoi se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës këtë vjeshtë”, thuhet në njoftim.
Siç bëhet me dije në njoftimin për meduia, kryenegociatori nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe se zëri i saj ka peshë të veçantë në politikën e zgjerimit të BE-së.
“Në këtë drejtim, ai kërkoi angazhim proaktiv të parlamentarëve gjermanë, përfshirë përmes kontakteve me homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe familjet politike evropiane, për të ndihmuar në avancimin e aplikimit të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit ne BE, si dhe përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe harmonizimin e plotë të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët gjermanë për mundësinë e takimit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.



