Me propozim të asamblistit Panxha, Peja miraton deklaratën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Të gjithë asamblistët e Kuvendit Komunal të Pejës mbështetën unanimisht propozimin e Aleancës për përfshirjen e deklaratës në rendin e ditës
Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar unanimisht Deklaratën e mospajtimit lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur asamblisti i Aleancës në Pejë, Labinot Panxha, i cili përmes një postimi ka njoftuar se propozimi për përfshirjen e deklaratës “Jo në emrin tim” si pikë të parë të rendit të ditës u mbështet nga të gjithë asamblistët.
Panxha ka thënë se deklarata përfaqëson, sipas tij, një qëndrim politik dhe qytetar në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe sakrificës për çlirimin e Kosovës.
“Sot, nga Peja, u dha një mesazh i qartë: nuk pajtohemi me mënyrën se si është trajtuar historia dhe sakrifica e luftës së UÇK-së”, ka shkruar Panxha.
Ai ka theksuar se mbështetësit e deklaratës besojnë në drejtësi, të vërtetën dhe dinjitetin e atyre që, sipas tij, luftuan për lirinë e Kosovës.
Në fund të postimit, Panxha ka përcjellë mesazhin: “Jo në emrin tim! Jo në emrin e qytetarëve të Pejës! Liri për çlirimtarët!”



