Nis asfaltimi i rrugës “Sadik Rama” në hyrje të Klinës
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka nisur asfaltimi i rrugës “Sadik Rama”, në hyrje të Klinës.
Basha ka thënë se pas disa vonesave dhe pengesave gjatë realizimit të projektit, segmenti i rrugës rajonale R104 ka hyrë në fazën përfundimtare të asfaltimit.
“Pas vonesave të shumta, përfundimisht po asfaltohet rruga ‘Sadik Rama’ – Hyrja e Klinës”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, bëhet fjalë për një segment me gjatësi prej 2.6 kilometrash, nga Ura e Gurit deri te udhëkryqi Pejë–Prishtinë.
“Gjatë realizimit të projektit kemi hasur në pengesa të ndryshme, por pas shumë diskutimeve, analizave dhe angazhimit të vazhdueshëm, rruga rajonale R104, segmenti ‘Sadik Rama’, me gjatësi 2.6 kilometra, nga Ura e Gurit deri te udhëkryqi Pejë–Prishtinë, ka hyrë në fazën përfundimtare të asfaltimit”, ka deklaruar ai.
Ministri ka theksuar se përfundimi i punimeve pritet të përmirësojë infrastrukturën rrugore në hyrje të Klinës dhe të lehtësojë qarkullimin.
“Me përfundimin e punimeve, hyrja e Klinës do të ketë infrastrukturë më të mirë rrugore, duke mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka shkruar Basha.
Ai ka thënë se, pavarësisht pengesave dhe vonesave, Ministria mbetet e angazhuar për përfundimin e projekteve infrastrukturore.
“Pavarësisht pengesave dhe vonesave me të cilat po përballemi, mbetemi të përkushtuar që projektet infrastrukturore t’i çojmë deri në fund dhe investimet t’i kthejmë në rezultate konkrete për qytetarët”, ka përfunduar Basha.



