9.4 kilogramë marihuanë gjenden në një arë fshatin Popoc të Gjakovës

22 shtator 2026 | 09:28

Një sasi e konsiderueshme e substancës së dyshuar narkotike është gjetur pasditen e 21 shtatorit në fshatin Popoc të Gjakovës, ndërsa rasti ka çuar edhe në arrestimin e një shtetasi turk.

Burimet  bëjnë me dije se patrulla e Policisë Kufitare, gjatë kontrollimit të terrenit, ka hasur në një arë një qese plastike dhe tri çanta të mbushura me substancë të dyshuar si marihuanë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e DHTN-së në Gjakovë dhe Krimteknika Rajonale, të cilët kanë bërë ekzaminimin e lokacionit dhe kanë tërhequr substancën në cilësinë e provës materiale.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pesha totale e marihuanës së dyshuar ishte rreth 9 kilogramë e 400 gramë.

Lidhur me rastin është arrestuar Bedis Turgay, 50-vjeçar, i cili gjatë të njëjtës ditë ishte vërejtur duke qarkulluar në zonën e Popocit me një Volkswagen Golf 7.

Turgay është ndaluar më pas në qytetin e Vushtrrisë dhe është shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë për intervistim.

Ai është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa procedura është përkthyer nga një përkthyes i licencuar shqip–turqisht.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, i cili ka urdhëruar që i dyshuari, pas intervistimit, të lirohet.

Rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj verdiktit të…