Ahmet Pantina, fisnikëria e luftëtarit që i shëmbëlleu dritës

24 shtator 2026 | 17:16

(Në prag të njëzet e tetë vjetorit të rënies)

Shkruan: Imer Pantina

Sot, në këtë përvjetor kthehemi për pak çaste në kohën e lavdisë, në kohën kur zjarri i lirisë kërkonte të përzgjedhurit, kërkonte bijtë më të mirë që të rreshtoheshin rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të hapnin rrugën drejt lirisë, drejt jetës, e dikush të mbetej i përjetshëm në kujtesën e kombit.

Tani e njëzet e tetë vite më parë Kosova ishte një vend i betejave, një vend ku bijtë më të mirë të saj luftonin jo pse e zgjedhën luftën, por sepse zjarri i flakës së saj e parandaloi shuarjen e një kombi fisnik, parandaloi robërinë që solli aq shumë vuajtje.

Tani e njëzet e tetë vite më parë, në një mbrëmje kur vendbetejat ishin të mbushura me dashurinë e atyre që e deshtën më së shumti Kosovën, ra heroikisht Ahmet Alush Pantina. Andaj, edhe pas njëzet e tetë vitesh e ndjejmë nevojën që duke e kujtuar këtë të kaluar  me zjarret e heroizmave, të shfaqim respektin tonë që kemi për kolosët që e shkruan faqen më të ndritshme  të historisë sonë, të asaj që po e jetojmë sot.

Ahmet Pantina frymëzimet e para i merr nga familja e tij, ku pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte patur rastin t’i njihte falë prindit të tij, Alushit, i cili njëherit ishte prej themeltarëve të UÇK-së që iu bashkangjit gjatë kohës që vepronte në ilegalitet. Duke qenë në dijeni për ngjarjet e mëdha që përgatiteshin në sferën e luftës guerile të UÇK-së, fillon t’u shërbejë, duke marrë përgjegjësi në bartje armësh dhe mbajtje kontaktesh dhe porosish. Kjo e kishte bërë të përgatitur që të dinte se nga cili burim ta ushqente atdhedashurinë e tij, çfarë i duhet atdheut,- lufta apo heshtja, që tashmë veç thyhej nga UÇK-ja.

Ahmet Pantina, që herët e përjetoi rëndë agresionin gjenocidial të Serbisë fashiste. Andaj, vendos që të përballet me të, me zjarrin e dashurisë për atdheun, dhe, me zjarrin e pushkës së tij. Kështu lind epoka e heroizmave. Përballë armikut ata që e ushqyen atdhedashurinë.

Ahmeti ishte djaloshi që luftonte me armikun në errësirën e natës, në vapën e madhe të diellit, në front të hapur, në sulme diversante. Ishte aty ku ishte e nevojshme të jetë trimëria, guximi për t’i thyer mitet e rrejshme se Serbia është shteti që nuk mposhtet. Morali i djemve të UÇK-së, këtyre luftëtarëve të lirisë, kishte sjellë fryte konkrete. Popullata fillonte t’i shijonte për herë të parë zonat e lira, uniformën ushtarake të bijve të tyre, trofetë e luftës dhe ishte e mahnitshme t’i shihje ushtarët e lirisë që në kthim pas betejave, përqafonin fëmijët shqiptarë që herë kishin lot në sy e herë buzëqeshje.

Ahmeti i shërbeu atdheut në shumë fushëbeteja duke mos e kursyer jetën e vet sepse e kishte të qartë se vetëm lufta çlirimtare do të sillte lirinë. S’kishte zgjidhje tjetër dhe nënshtrimi nuk ishte opsion.

May be a graphic of text

Në hapat e atdhetarisë së Ahmetit e shohim edhe ndikimin e nënës së tij, e cila mbeti shembulltyrë se si kujdesi i saj nxiti vlera aq fisnike, vlera të edukatës, trimërisë dhe përkushtimit për të afërmit dhe populllin e tij.

Edhe pas njëzet e tetë vitesh idealet e dëshmorëve mbeten aktuale. Ndërtimi i një shteti të fortë, që është për të gjitha shtresat shoqërore, dhe, ideali madhor i tyre – bashkimi me Shqipërinë, mbeten sfida për ne të gjallëve. Dëshmorët e dhanë provimin e tyre, u treguan atëherë kur ishte e vështirë për t’u treguar. Andaj, ka dashur Zoti i Madh që me sakrificën e tyre ne sot kemi emër dhe i kemi shpëtuar asimilimit. Ecja përpara është detyrë e jona.

Përvjetorët e dëshmorëve janë ftesë për ndërgjegjen tonë!  E ku tjetër mund ta kuptojmë atë forcë dashurie përveçse në bëmat e heronjve tanë?!

ATA, luftëtarët e UÇK-së, para se t’i bashkonin forcat, i bashkuan zemrat rreth asaj që quhej e përbashkët: Atdheu. Të gjithë kishin ëndrra të ndryshme, mundësi të ndryshme, jetë të ndryshme, por, të gjithë e kishin të përbashkët ndërtimin e një Shqipërie natyrale, një shteti të fuqishëm që do t’i bashkonte copat e ndara të saj në një të vetëm dhe të fuqishëm.  Ishin nisur drejt rrugës së sakrificës dhe flijimit jo pse nuk e donin jetën, por, pse ata donin t’i jepnin kuptim jetës, atë që i mungonte – LIRINË.

Të gjithë kishin mundësi të ndryshme, interesa vetjake, karrierë personale. Por, që të gjithë hynë në një rrugë, dhe, për të rrugëtuar fuqishëm në atë rrugë, për të sakrifikuar atë që është shumë e shtrenjtë, jetën personale në emër të lirisë kolektive, të asaj që është më se njerëzore.

I tejkaluan dallimet, i bashkuan forcat, e bënë që të triumfojë dashuria për njerëzimin, për kombin, për familjen, për paqen e mbarë njerëzimit.

Asgjë s’mund ta mund dashurinë për të drejtën e njeriut!

Kjo sepse vet Zoti i Madhërishëm ia fali njeriut lirinë për të frymuar në tokë për aq sa do të jetojë mbi të, për aq sa do të ec mbi të, për aq sa do të flasë dhe veprojë.

Asgjë s’mund ta mund dëshirën për të jetuar i lirë!

Kjo sepse kërkimi i lirisë është ndër veprat më fisnike, e fisnikëria i takon vetëm njerëzve më të mirë. Ata e rrëmbejnë atë që u takon, dashurinë për lirinë, dhe, me forcën e kësaj dashurie lëshojnë shpresë për lirinë e të gjithëve. Ata e këpusin atë zinxhir frymënxënës dhe, ngritën aty ku dashuria njerëzore lë shenja përjetësie. Dhe, ne, ajo ana më njerëzore e jona iu shpreh falënderimet më të sinqerta.

Sot, nuk ndjehemi mirë kur në një gjykatë të padrejtë, tërësisht me motive të ulëta politike, na u dënuan udhëheqësit e luftës, derisa, ata që masakruan shqiptarë të pafajshëm, fëmijë, gra e burra civilë, mbeten të lirë. Çdo njeri i civilizuar ka të drejtë të pyes: Nga po shkon kjo botë? Si është e mundur që të dënohet lufta çlirimtare, lufta e cila ishte ekzistenciale për një popull paqësor, ku udhëheqësit e saj s’kishin rrugë tjetër, e të lihen të lirë kriminelët?!

Për fund, faleminderit dëshmorëve tanë, luftëtarëve, të gjallëve e atyre që u flijuan për atdhe, faleminderit që na e këputët atë zinxhir robërie! Nën dritën që JU e shpërndani, ne ndjehemi më njerëzor.

Zoti i mëshiroftë të gjithë dëshmorët e Kosovës!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Podujevë…