Drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi takohet me administratorët e prokurorive dhe udhëheqësit e njësive organizative
Drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka zhvilluar takim pune me administratorët e të gjitha prokurorive të Republikës së Kosovës dhe udhëheqësit e njësive organizative të Sekretariatit të KPK-së.
Takimi ka pasur për qëllim forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet administratës së prokurorive dhe Sekretariatit, si dhe shqyrtimin e çështjeve që ndërlidhen me organizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve administrative në sistemin prokurorial.
Drejtori i përgjithshëm, Sami Istrefi, i ka informuar pjesëmarrësit për ndryshimet në kuadrin normativ dhe institucional, si dhe për rëndësinë e zbatimit të njëtrajtshëm të rregullave, procedurave dhe standardeve profesionale në ushtrimin e përgjegjësive administrative.
Në këtë drejtim, Istrefi ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet të gjitha niveleve administrative, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve të punës, rritjen e transparencës dhe avancimin e standardeve profesionale në administratën e sistemit prokurorial.
Gjatë takimit, administratorët e prokurorive dhe udhëheqësit e njësive organizative të Sekretariatit kanë paraqitur të arriturat, çështjet e identifikuara dhe sfidat praktike me të cilat përballen në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, duke propozuar edhe mundësi për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit institucional.




