FC Kosova Dusseldorf pret me entuziazëm Rot-Weiss Essen: Një moment historik për klubin tonë
FC Kosova Dusseldorf ka marrë një short të jashtëzakonshëm në 1/8 e finales së Niederrheinpokal. Klubi shqiptar nga Dusseldorfi do të përballet me Rot-Weiss Essen, nëse ky ekip e kalon pengesën e fundit ndaj Sportfreunde Broekhuysen, ka shkruar media gjermane “Reviersport”. Vendimi përfundimtar se kush do të jetë kundërshtari i FC Kosova Düsseldorf pritet të merret të shtunën, më 26 shtator.
Për klubin nga Dusseldorfi, përballja me skuadrën e kategorisë së tretë gjermane do të ishte një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e tij. Drejtori sportiv i FC Kosova Dusseldorf, Adrian Krasniqi, e ka pritur me entuziazëm shortin. “Çfarë shorti! Klubi ynë përballet në Kupë me Rot-Weiss Essen, një klub me traditë të madhe dhe një skuadër profesioniste. Për ne, si klub që luan tri liga më poshtë, ky është një moment shumë i veçantë.” Krasniqi shtoi se pret që Rot-Weiss Essen ta kalojë me sukses ndeshjen ndaj Broekhuysenit. Rruga e FC Kosova Düsseldorf drejt 1/8 së finales nuk ka qenë e lehtë.
Në raundin e parë, skuadra shqiptare eliminoi ekipin e Oberligës, SV Scherpenberg, me rezultat 2:1 pas vazhdimeve. Në raundin e dytë erdhi një tjetër sukses i madh. FC Kosova fitoi 5:3 ndaj SG Schönebeck në Essen. Tash në rrugë është një kundërshtar edhe më i fortë, por këtë herë ndeshja do të zhvillohet me FC Kosova si vendas. “Gëzimi te skuadra, në të gjithë klubin dhe te sponsorët tanë është jashtëzakonisht i madh. Kjo ndeshje është shumë më tepër se një duel i Kupës. Është një mundësi e madhe për zhvillimin, imazhin dhe njohjen e mëtejshme të klubit tonë”, tha Krasniqi.



