Shkruaj për mua, bijë” – një amanet i kthyer në kujtim

26 shtator 2026 | 13:14

.Vetë titulli i romanit “Shkruaj për mua, bijë” i Safete Jakupi Graiçevcit tingëllon si një amanet i lënë pezull në kohë. Një amanet që ka mbajtur peng për vite Safeten, derisa ajo e përmbushi përmes fjalës, kujtesës dhe shkrimit. Me botimin e këtij romani, duket sikur ajo më në fund e ka çliruar shpirtin nga pesha e një premtimi që i ka dhene nënës së saj, duke ia kthyer zërin përmes letërsisë dhe duke e ruajtur përgjithmonë në faqet e një libri.Romani “Shkruaj për mua, bijë” nuk më la thjesht përshtypjen e një vepre letrare. E përjetova edhe si një dëshmi të shkruar me shpirt, me kujtesë dhe me shumë dashuri. Që në faqet e para, libri të merr për dore dhe të fton të hysh në botën e tij. Nuk të lë lehtë të largohesh prej saj, jo vetëm nga kureshtja për të ditur se çfarë do të ndodhë më tej, por sepse, në shumë prej rreshtave të tij, lexuesi mund të gjejë diçka nga vetja: një copëz nga nëna, nga babai, nga prindërit, nga fëmijëria, nga njerëzit e dashur dhe nga ato kujtime që, edhe kur nuk i përmendim, i mbajmë thellë në shpirt.
Një tjetër vlerë e veçantë e romanit është gjuha e personazheve, e cila është sjellë me shumë natyrshmëri, ngrohtësi dhe mjeshtëri letrare.Ky roman nuk lexohet vetëm me sy; lexohet edhe me zemër.Në të ka dhimbje, mall, kujtime, dashuri dhe, mbi të gjitha, një përpjekje të bukur e të sinqertë për ta mbajtur të gjallë atë që koha dhe jeta rrezikojnë ta largojnë nga kujtesa. Është një udhëtim nëpër kujtesë, ku e kaluara nuk mbetet thjesht pas nesh, por rikthehet përmes fjalës, ndjenjës dhe kujtimit.
Disa romane i lexojmë një herë dhe pastaj i vendosim në raft. Ndërsa disa të tjerë na thërrasin sërish. Sepse çdo rilexim mund të na zbulojë një kuptim të ri, një ndjenjë të re, një dhimbje apo një bukuri që nuk e kemi vënë re në leximin e parë.
Besoj se “Shkruaj për mua, bijë” është pikërisht një prej atyre librave që meriton një lexim të dytë, më të qetë, më të thelluar, larg emocionit të parë. Një libër që nuk duhet të mbetet vetëm te nje lexues, por të udhëtojë nga një lexues te tjetri, sepse letërsia merr kuptimin e saj të plotë atëherë kur ndahet me të tjerët. Safete Jakupi Graiçevci ka ndarë me ne një pjesë shumë të ndjeshme të botës së saj.I lumtë Safetes për guximin për të shkruar një dhimbje kaq të thellë dhe për ta kthyer atë në fjalë, kujtim dhe dashuri. Jo gjithmonë është e lehtë të hapësh plagët e shpirtit e t’i kthesh ato në letërsi. Kjo kërkon një lidhje të fortë me atë që ke , dëgjuar dhe mbajtur gjatë në zemër.Ndoshta një nga dhuratat më të bukura që mund t’u bëjmë njerëzve që nuk janë më mes nesh është pikërisht kjo,t’i mbajmë gjallë përmes kujtimeve, përmes fjalës dhe përmes historive që tregojmë për ta. Sepse njeriu mund të largohet nga kjo botë, por dashuria për të dhe kujtimi i tij mund të vazhdojnë të jetojnë në fjalët tona.
Në këtë kuptim, “Shkruaj për mua, bijë” nuk është vetëm një vepër që lexohet. Është edhe një mënyrë për të ruajtur dashurinë, kujtesën dhe gjurmët e njerëzve tanë të dashur. Është një përpjekje për të mos lejuar që njerëzit, momentet dhe ndjenjat e çmuara të humbasin në heshtjen e kohës.Besoj se ky është një nga misionet më të bukura të këtij romani: të sfidojë harresën.Përmes këtij romani pata mundësinë të njihem me një shkrimtare që, përmes këtij fillimi, premton shumë. Shpresojmë dhe dëshiroj që Safete Jakupi Graiçevci të na sjellë edhe vepra të tjera, personazhe të tjera, histori të tjera .
Jam i bindur se romani“Shkruaj për mua, bijë” është vetëm fillimi dhe se autorja ka ende shumë për t’i thënë lexuesit.
Uroj që fjalët tuaja të vazhdojnë të gjejnë rrugën drejt zemrave të lexuesve dhe që ky roman të jetë një kujtim i bukur, jo vetëm për nënën që ju frymëzoi ta shkruani, por edhe për të gjithë ata që do ta gjejnë veten në faqet e tij.

Gani Shala
23.09.’26
Abwil. Zvicër

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismet Sylejmani Kryetar Imri Ahmeti, përse ende nuk po ia…