Valë sulmesh kibernetike në Kosovë, eksperti Rizaj kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit

26 shtator 2026 | 22:36

Një valë e gjerë e sulmeve kibernetike po vazhdon të godasë përdoruesit e rrjeteve sociale në Kosovë, duke prekur si llogaritë private, ashtu edhe ato të bizneseve.

Alarmin e ka ngritur eksperti i sigurisë kibernetike, Darsej Rizaj, i cili përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se situata po përshkallëzohet dhe se ka përmasa shqetësuese në nivel vendi.

Sipas Rizajt, hakerët po arrijnë të komprometojnë llogaritë madje edhe pasi pronarët e tyre arrijnë t’i rikthejnë ato.

“Hakimi nacional po vazhdon! Edhe llogaritë private. Llogaritë edhe që po i kthejnë, po hakohen prapë! Si private, si të biznesit. Mbi 500 veta më kanë shkruar në Facebook. Kemi nevojë për intervenim shtetëror. Kjo është shumë serioze,” ka shkruar Rizaj.

Duke parë rrezikun e lartë të ekspozimit të të dhënave personale dhe ndjeshme, eksperti u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndërmarrin masa të menjëhershme parandaluese për mbrojtjen e privatësisë së tyre.

Rizaj ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse shtetërore dhe njësitë e krimeve kibernetike për të ndaluar këtë sulm masiv që po cenon sigurinë e qindra qytetarëve dhe bizneseve në vend.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama prej disa ditësh ndodhet në SHBA,…