BE-ja nuk bojkoton samitin e G20-së pas ftesës për Putinin

27 shtator 2026 | 13:31

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë ftuar presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20-së që do të mbahet në dhjetor. BE-ja ka reaguar e zemëruar, por nuk planifikon ta bojkotojë takimin. Ajo tashmë e ka planin e saj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ftuar zyrtarisht presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20-së. Ftesa është përcjellë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në kuadër të debatit të përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork. Argumenti i administratës amerikane është se dialogu duhet të vazhdojë edhe me partnerë të vështirë.

Samiti i G20-së pritet të zhvillohet në dhjetor në Miami, Florida. Bashkimi Evropian është anëtar me të drejta të plota i G20-s. Përveç kësaj, disa shtete anëtare, si Gjermania, Franca dhe Italia, marrin pjesë gjithashtu me përfaqësuesit e tyre.

BE-ja tashmë e ka një plan për samitin e G20-së

Si do të reagojë Bashkimi Evropian ndaj nismës së Trumpit dhe pjesëmarrjes së mundshme të Putinit? Sipas një zëdhënësi të BE-së, Rusia mbetet anëtare e G20-s dhe ka të drejtën të marrë pjesë në këto takime. Ai ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë t’i përdorë këto forume për të dënuar luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës, pavarësisht se kush merr pjesë në samit. Kjo do të thotë se Brukseli synon të jetë i pranishëm në Miami edhe nëse Putini merr pjesë, duke mos dashur t’ua lërë skenën Trumpit dhe Putinit, veçanërisht kur në diskutim është e ardhmja e Ukrainës.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse përfaqësuesit e BE-së do të jenë të gatshëm të ulen në të njëjtën sallë me Putinin. Nga shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë ardhur reagime kritike ndaj ftesës drejtuar presidentit rus.

Diplomatët francezë: “Fronti perëndimor” është në rrezik

Pas ftesës së SHBA-së, Berlini zyrtar ka theksuar se nuk mund të ketë kthim në normalitet në marrëdhëniet me Rusinë pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Qeveria gjermane është shprehur se është në dijeni për ftesën drejtuar Vladimir Putinit.

Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, është shprehur kritike, duke deklaruar se tani është koha të kërkohen lëshime nga Rusia dhe jo që Putinit t’i jepet më shumë peshë diplomatike. Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe qeveria franceze. Sipas Parisit, nuk është momenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Megjithatë, askush nuk po flet për bojkot të samitit.

Në Paris dhe Romë është theksuar se Bashkimi Evropian duhet të mbetet i bashkuar në reagimin e tij. Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar: “Asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën dhe pa Evropën.”

Arrestmandati i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit

Edhe në Parlamentin Evropian është theksuar se nuk mund të ketë rikthim në normalitet me Vladimir Putinin. Ky duhet të mbetet qëndrimi i palëkundur i Evropës, kanë deklaruar deputetë letonezë nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP). Ata kanë kujtuar krimet e luftës dhe faktin se më shumë se 20.000 fëmijë ukrainas janë deportuar nga Rusia, ndërsa deri më tani vetëm rreth 2.500 prej tyre janë kthyer në Ukrainë.

Ndaj presidentit rus Vladimir Putin është lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN/GJPND). Ky është edhe një nga arsyet pse ai nuk ka marrë pjesë në samitet e fundit të G20-s, përfshirë atë të zhvilluar në Brazil.

Politikanët e BE-së presin që, pas sulmeve të Trumpit ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Vladimir Putini mund të jetë i gatshëm të udhëtojë në Miami, pasi atje nuk ka arsye të frikësohet nga ndonjë pasojë ligjore. “Lufta në Ukrainë ka treguar se krimet e luftës mund të rikthehen nëse ato nuk njihen dhe nuk trajtohen siç duhet”, ka deklaruar eurodeputetja lituaneze e Partisë Popullore Evropiane (EPP), Rasa Jukneviciene.

“Një gjykatë ndërkombëtare që pengohet nga Trumpi të kryejë punën e saj legjitime duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë ne”, ka kritikuar veprimet e Trumpit ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare zëdhënësi për politikën e jashtme i socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Yannis Maniatis.

Nga ana tjetër, politikanët e AfD-së e kanë mirëpritur afrimin diplomatik mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit. /DW

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Përveç Albian Hajdarit, i cili nuk është përfshirë në listën…