Dhimbja e familjeve të të pagjeturve nuk është pronë elektorale
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti
Të pagjeturit meritojnë të vërtetën. Familjet meritojnë dinjitet. Pushteti ka detyrimin të japë llogari.
Ka një kufi moral që politika nuk duhet ta kalojë: shndërrimin e dhimbjes së familjeve të të pagjeturve në brum për propagandë partiake. Pas çdo emri të pazbardhur qëndron një jetë e ndërprerë dhe një familje që ka kaluar dekada mes shpresës, ankthit dhe pritjes. Asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë dhimbje për të ndërtuar imazhin e vet.
Gjetja, zhvarrosja dhe identifikimi i personave të zhdukur janë pjesë të një procesi jashtëzakonisht të ndërlikuar. Ai kërkon hetime, dokumente, dëshmi, ekspertizë mjekoligjore dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional e ndërkombëtar.
Një rezultat i sotëm mund të mbështetet në informacione të mbledhura vite më parë, në dëshmi të verifikuara me durim dhe në punën e profesionistëve që kanë vazhduar përtej ndërrimit të qeverive. Ta përmbledhësh gjithë këtë përpjekje në emrin e një udhëheqësi politik, në këtë rast të Albin Kurtit, është ta shtrembërosh historinë e procesit.
E kuptoj logjikën e militantëve që falënderojnë Kurtin edhe kur vetë Kurti falënderon EULEX-in. Por nuk mund ta pranoj që besnikëria partiake të zërë vendin e ndjeshmërisë njerëzore dhe të respektit për faktet. Në paraqitjen e tij të 24 gushtit 2026, Kurti falënderoi institucionet vendore dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it për kontributin në gërmimet në Zubin-Potok. Përpjekja për ta kthyer këtë punë të përbashkët në meritë ekskluzive politike shkon përtej edhe vetë këtij pranimi publik.
Kërkimi i të pagjeturve në veri nuk filloi me as me Kurtin dhe as me këtë qeveri. Gjashtë varreza masive janë gjetur deri sot. Dy varreza në zonën e Suhodollit të Poshtëm u zbuluan fillimisht më 1999 dhe në to u gjetën gjithsej 131 trupa. Në këto lokacione pati zhvarrosje edhe në vitet 2017 dhe 2022. Kjo kronologji dëshmon një proces të gjatë, të vështirë dhe të papërfunduar, që nuk mund të futet brenda kufijve të një mandati qeverisës.
Edhe kontributi i EULEX-it është i dokumentuar prej vitesh. Në qershor 2011, ekspertët e tij mjekoligjorë zhvarrosën mbetjet e nëntë personave në varrezat muslimane të Mitrovicës së Veriut. Në prill 2013, ekipet mjekoligjore dhe hetimore të EULEX-it, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, gjetën në të njëjtat varreza mbetjet e shtatë personave të dyshuar si të pagjetur dhe dy pjesë të tjera skeletore, që kriminelët serbë ishin munduar t’i fshihnin dhe të ua humbnin gjurmët aty. Bëhej fjalë për varre të pashënuara, identifikimi i të cilave u mbështet në analizimin e dokumenteve dhe në hetime.
Gjetjet e vitit 2026 në tri lokacionet në Kalludër dhe Jabukë janë një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme për familjet. Sipas raportimit zyrtar të 24 gushtit, aty u zhvarrosën mbetje mortore që vlerësohej se u përkisnin së paku 23 personave, ndërsa procesi i identifikimit ishte në zhvillim.
Pikërisht ndjeshmëria e këtij procesi kërkon saktësi dhe përmbajtje në komunikimin publik. Çdo informacion prek drejtpërdrejt familje që kanë pritur për dekada një përgjigje.
Policia e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe partnerët ndërkombëtarë meritojnë njohje për punën e tyre. Njohja e këtij kontributi duhet të jetë e drejtë dhe e mbështetur në prova. Institucionet janë të Republikës; puna e tyre nuk është pronë e partisë që qeverisë.
Por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë politike të partisë që qeverisë. Përkundrazi, e bën më të qartë.
Më 2 maj 2023, Kurti dhe Vuçiqi miratuan, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Deklaratën për Personat e Pagjetur. Ajo përfshin personat e zhdukur me dhunë dhe zotimet për bashkëpunim në identifikimin e vendvarrimeve, vazhdimin e gërmimeve dhe qasjen në dokumente relevante, përfshirë ato të klasifikuara. Vlera e këtij zotimi matet me zbatimin e tij.
Rregullat e funksionimit të Komisionit të Përbashkët u dakorduan më 17 dhjetor 2024, ndërsa takimi i parë në format trepalësh u mbajt më 22 janar 2026: mbi dy vjet e gjysmë pas deklaratës. Ky interval kërkon shpjegim publik dhe ngritë pyetje të ligjshme të llogaridhënies.
Po aq e domosdoshme është mbikëqyrja parlamentare. Më 12 tetor 2020, me kërkesën time dhe mbështetjen e deputetëve të Grupit Parlamentar të PDK-së, u mbajt interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti për të pagjeturit, për përgjegjësitë lidhur me dialogun në Bruksel dhe punën e grupeve teknike. Po atë vit, u mbajt edhe interpelanca e iniciuar nga Saranda Bogujevci kërkoi llogari për trajtimin e çështjes së të pagjeturve në zotimet e Uashingtonit.
Kërkesa për përgjegjësi institucionale ka histori dhe duhet të vazhdojë pavarësisht se kush është në pushtet. Që atëherë për të pagjeturit nuk pati as interpelancë, as debat parlamentar, as raportim të kryeministrit. Vizita e fundit, për këtë çështje, e Komisionit Parlamentar për Persona të Pagjetur të Kuvendit të Kosovës në veriun e Kosovës ishte zhvilluar më 9 dhjetor 2020!
Pothuajse gjashtë vjet më pas, pyetja që duhet të shtrojmë është nëse kjo çështje po merr mbikëqyrjen e rregulltë, serioze dhe këmbëngulëse që meriton.
Familjeve u duhen raporte të qarta, dëgjime parlamentare, afate dhe përgjigje për pengesat konkrete.
Një Kuvend jofunksional dhe një mbikëqyrje e munguar parlamentare për çështjen e të pagjeturve ua ngushton familjeve edhe një rrugë për të kërkuar llogari.
Këtu qëndron përgjegjësia politike e z.Kurtit: të sigurojë kushtet institucionale, diplomatike dhe buxhetore që e çojnë procesin përpara.
Nëse dialogu pranohet si mekanizëm për zbardhjen e fateve, atëherë vazhdimësia dhe funksionimi i tij kërkojnë angazhim të qëndrueshëm. Çdo pengesë duhet adresuar dhe çdo vonesë duhet shpjeguar. Përgjegjësia e Serbisë për bashkëpunim dhe hapje të dokumentacionit duhet kërkuar me këmbëngulje; njëkohësisht, qeveria e Kosovës duhet të japë llogari për veprimet dhe detyrimet e veta.
Kurtit nuk mund t’i atribuohen meritat për rezultatet, ndërsa përgjegjësia për vonesat, institucionet dhe mekanizmat e bashkëpunimit të trajtohet si çështje e dikujt tjetër apo të shihet përmes gishtrinjëve.
Pushteti nuk mund të kërkojë mirënjohje publike dhe të refuzojë kritikën publike kur nuk i pëlqen.
Familjet kanë pritur tepër gjatë. Ato meritojnë informacion të saktë, identifikimin e të afërmve, mbështetje të vazhdueshme dhe drejtësi. Çdo kontribut duhet njohur sipas provave. Çdo dështim duhet shqyrtuar me përgjegjësi. Dhe çdo komunikim publik duhet të nisë nga dinjiteti i tyre.
Të pagjeturit kanë emra, histori dhe familje. Shteti u ka borxh të vërtetën. Politika u ka borxh përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
Akoma janë mbi 1500 të pagjetur.
Dhimbja e familjeve ende vazhdon dhe ajo nuk është pronë elektorale e askujt.
Ajo është përgjegjësi për të cilën s’ka pse të lavdërohet asnjë politikan. Asnjë fare.



