“UÇK, UÇK” jehon në Treviso të Italisë, shqiptarët protestojnë për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po zhvillohet edhe në Treviso të Italisë.
Shqiptarë të diasporës janë mbledhur në Piazza delle Istituzioni, në kuadër të protestave të organizuara kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tubimi në Treviso është pjesë e një vale protestash të shqiptarëve në diasporë, të organizuara nën moton “Jo në emrin tim”. Për sot janë paralajmëruar protesta edhe në disa qytete të tjera evropiane, përfshirë Londrën, Oslon, Grazin, Gjenevën, Karlsruhen, Lindau dhe Shkupin.
Protestat pasojnë aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas raportimeve, katër ish-krerët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, ndërsa vendimi është kundërshtuar nga mbrojtja dhe është paralajmëruar ankimimi.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar ditët e fundit edhe në qytete të tjera jashtë Kosovës. Në Vjenë, shqiptarët u mblodhën në Heldenplatz, ndërsa në Nju-Jork janë zhvilluar tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.



