Nga tribunat në sheshet e Prishtinës: tifo-grupet bashkohen në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Tifo-grupe nga vende të ndryshme të Kosovës janë bërë bashkë të dielën në Prishtinë, në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Për disa orë, rivalitetet e tribunave u lanë anash, ndërsa në shesh dominuan flamujt, pankartat dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një nga mesazhet kryesore të protestës ishte vendosur në ballë të turmës: “UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”.

Pankarta shoqërohej nga flamuj të tifo-grupeve, ndërsa pjesëmarrësit përdorën edhe mjete piroteknike, duke krijuar atmosferën karakteristike të tribunave sportive.
Në protestë u shfaq edhe një baner i madh me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, shkruhej në banerin e vendosur përballë protestuesve.
Tubimi ishte paralajmëruar më herët nga “Plisat”, ndërsa thirrjes iu bashkuan edhe tifo-grupe të tjera nga Kosova.
Protesta e tifo-grupeve vjen në një periudhë mobilizimi të shtuar pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara për krime lufte.
Vendimi nxiti reagime politike dhe publike në Kosovë, ndërsa në Prishtinë nisën edhe tubime të njëpasnjëshme në mbështetje të të dënuarve.
Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Kosovë.
Gjatë kësaj fundjave, mobilizime të diasporës shqiptare janë zhvilluar ose paralajmëruar edhe në një varg qytetesh evropiane.



