Dëbimi i mbi 862 mijë shqiptarëve, nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve

28 shtator 2026 | 08:56

Për dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë nis gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohen se gjatë periudhës janar–qershor 1999 kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.

Prokuroria pretendon se ata kanë qenë në dijeni për veprimet e forcave nën komandën ose kontrollin e tyre, përmes raporteve operative, komunikimeve të brendshme dhe pranisë në terren.

Në aktakuzë përmenden shkatërrimi dhe djegia e shtëpive, dëmtimi i infrastrukturës civile, përndjekja dhe ndalimi arbitrar i personave mbi baza etnike, si dhe sulmet ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me shqiptarë.

Sipas Prokurorisë, këto veprime kanë rezultuar me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë, të cilët u dëbuan nga Kosova drejt kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e atëhershme.

Aktakuza i referohet shifrës prej 862 mijë e 979 civilësh shqiptarë të dëbuar gjatë kësaj periudhe.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar veprimet e kundërligjshme, për t’i ndaluar autorët apo për t’i raportuar ato te autoritetet përkatëse.

Procesi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga gjykata pas shqyrtimit të provave dhe zhvillimit të procedurave gjyqësore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar për…