Lushaku-Sadriu: Ua kemi borxh djemve e vajzave të UÇK-së të mbështesim luftën çlirimtare
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se deputetët e kësaj partie kanë qenë sot të bashkuar për të mbrojtur kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këto komente Lushaku-Sadriu i ka bërë në një konferencë për medie, pas përfundimit të seancës së Kuvendit.
“Si deputet, por edhe si grup parlamentar, jemi të vetëdijshëm plotësisht që kemi përgjegjësi edhe institucionale, që ta vlerësojmë e ta lartësojmë kontributin e djemve e vajzave tona në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës, për lirinë që e gëzojmë ne sot, andaj ua kemi borxh që të mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm dhe dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur, me liri, dhe të respektojë parimet demokratike, të funksionojnë institucionet e saj të pavarura për sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo. /EO



