“NINULLA” sjell në Kosovë kulturat dhe traditat e vendeve të ndryshme

29 shtator 2026 | 08:44

Kosova do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Këngës Folklorike Tradicionale “NINULLA”, një aktivitet kulturor që synon të bashkojë në skenë artistë dhe ansamble nga vende të ndryshme dhe të promovojë trashëgiminë folklorike ndërkombëtare.

Festivali do të mbahet më 3 dhe 4 tetor 2026, me fillim në orën 18:00, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti. Aktiviteti organizohet nga SKOFF, në partneritet të ngushtë me CIOFF.

Në kuadër të festivalit do të prezantohen grupe folklorike dhe artistë nga Turqia, Republika Çeke, Sllovenia, Sllovakia, Qiproja Veriore, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Përmes këngës, muzikës dhe valleve tradicionale, pjesëmarrësit do të sjellin në Kosovë elemente të ndryshme të kulturave dhe traditave të tyre.

Sipas programit të publikuar, më 3 tetor në skenë do të ngjiten, ndër të tjera, Ansambli “Kemajl Azizi”, Ensemble Nebeská muzika nga Sllovakia, grupe folklorike nga Qiproja Veriore, Ansambli “Xheladin Zeqiri” nga Maqedonia e Veriut, artistja shqiptare Lumturi Nonaj, ansamble nga Sllovenia, Turqia dhe Republika Çeke, si dhe Ansambli “Gryka e Kaçanikut” nga Kosova.

Programi i 4 tetorit përfshin Ansamblin “Bajram Curri” nga Prishtina, Ensemble Nebeská muzika nga Sllovakia, grupe nga Qiproja Veriore dhe Republika Çeke, Ansamblin “Dufilla” nga Maqedonia e Veriut, artistjen Lumturi Nonaj, si dhe përfaqësues nga Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Festivali “NINULLA” synon të shërbejë si një hapësirë për shkëmbim kulturor ndërkombëtar, duke ndërthurur traditat e vendeve pjesëmarrëse me aktivitetet kulturore vendore dhe duke i dhënë publikut mundësinë të njohë më nga afër folklorin dhe trashëgiminë muzikore të popujve të ndryshëm.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen aktivitetit dhe të ndjekin programin festiv në Viti.

“NINULLA” – një skenë ku traditat e ndryshme takohen përmes këngës, muzikës dhe folklorit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Organizata mjedisore Ecopana ka njoftuar se ka nisur punën për…