Deklaratë për ta zgjatur jetën e Dhomave Speciale
Shkruan: Gjenerali Hisen Berisha
(Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te deklarata – thirrje – “Rri, Hashim”!)
Kuvendi i Kosovës, në vend që të votonte për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe, me këtë akt, të kërkonte anulimin e pasojave të veprimeve të tyre formalo-juridike, përfshirë edhe vendimin dënues të shkallës themelore, zgjodhi të bëjë politikë deklarative, duke e miratuar një Deklaratë që, në vend se ta mbyllë këtë kapitull, ua zgjat jetën Dhomave Speciale, duke kërkuar personalizimin e përgjegjësisë penale.
Kjo u kamuflua me retorikën e “mbrojtjes së pastërtisë historike dhe politike të luftës së UÇK-së”.
Për mua, kjo Deklaratë nuk tingëllon më si ajo thirrja dikur, “Shko, Hashim”, por si një thirrje në vazhdim “Rri, Hashim”.
Në mungesë të kurajos qytetare e politike, mbetëmi te deklarata, pa veprim shtetëror. Kjo është hipokrizi dhe farsë politike.
Deklarata shpreh, për mua, mjerimin politik e intelektual të shtresës që sot zë ulëset e Kuvendit të Republikës së Kosovës, një Kuvend që, sipas vendimeve të Dhomave të Specializuara, po penalizohet si i përfshirë në një proces ku janë trajtuar edhe burimet, mjetet dhe doktrinat e përdorura për realizimin e luftës dhe të shtetndërtimit të Kosovës.
Këto 99 vota, sot, do të duhej të ishin vota për zhbërjen e atij mekanizmi që ka kriminalizuar jo vetëm individë, por edhe mjetet e përdorura për mbështetjen e luftës, përfshirë Fondin “3%” dhe Fondin “Vendlindja Thërret”, si dhe vetë konceptin e doktrinën e luftës çlirimtare të UÇK-së.
Këtu dua të bëj një dallim të qartë, në këtë kontekst nuk po flas për Qeverinë, por për 99 deputetët shqiptarë që votuan në Kuvend. Unë kërkoj nga deputetët shqiptarë që ta shohin Kuvendin e Republikës së Kosovës jo si një derivat të mjeteve kriminale apo si derivat të ndonjë “organizimi të përbashkët kriminal”, por si institucionin përfaqësues të shtetit dhe si bartës të përgjegjësisë politike për vendimmarrjen e tij.
Qeveria, ndërkaq, nuk voton në Kuvend. Ajo i përgjigjet Kuvendit dhe ka detyrim kushtetues e institucional t’i zbatojë vendimet e tij në përpikëri. Prandaj, përgjegjësia për votën e sotme është e deputetëve, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e vendimeve të Kuvendit i takon Qeverisë.
Dhe pikërisht për këtë arsye shtrohet edhe një pyetje politike, se ku ishte Qeveria, ku ishte zëri i saj kur u bë thirrja publike “Shko, Hashim”?
A e kemi harruar atë qëndrim dhe atë gjuhë politike?
Sepse, pas asaj letre dhe deklarimeve publike, nuk kemi dëgjuar një qëndrim të qartë institucional të Qeverisë që ta trajtojë këtë çështje me të njëjtën peshë politike.
Nëse sot kërkohet nga Kuvendi një qëndrim për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe të së vërtetës historike të saj, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi institucionale për veprim.
Nuk mund të kërkohet nga deputetët vetëm një deklaratë politike, ndërsa Qeveria të qëndrojë jashtë përgjegjësisë për zbatimin e çdo vendimi që Kuvendi merr.
Nëse Republika e Kosovës mbetet nën mundësinë e zhbërjes së Dhomave të Specializuara që vetë i ka formuar, atëherë shtrohet pyetja se, çfarë iu duhet shqiptarëve një instrument shtetëror që nuk është në gjendje të mbrojë vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar?
Nëse Kuvendi ka vullnetin politik për ta miratuar Deklaratën, pse nuk e përdor vullnetin e tij institucional për të ndërmarrë veprimin që e konsideron të nevojshëm?
Nuk mbrohet historia, lufta as liria nga përjargja politike. Përballë një situate të tillë duhet kurajo qytetare e politike për veprim shtetëror, jo deklarata që prodhojnë vetëm një iluzion se është bërë diçka.
Sepse, nëse vërtet qëllimi është mbrojtja e së vërtetës historike të luftës së UÇK-së, ajo e vërtetë nuk mbrohet duke e zgjatur jetën e një mekanizmi gjyqësor që është ngritur pikërisht mbi narrativën e kriminalizimit të një pjese të udhëheqjes së luftës, shtetit dhe historisë sonë.
Pastërtinë e luftës së UÇK-së nuk e përcakton një Deklaratë e Kuvendit, aq më pak një deklaratë e miratuar pas një aktgjykimi. Për të folën vetë dëshmitë e personaliteteve kyçe politike, diplomatike dhe ushtarake të kohës, shumë prej të cilëve dëshmuan edhe në procesin gjyqësor.
Dhe pikërisht këtu qëndron absurditeti, sepse, në emër të mbrojtjes së historisë së UÇK-së, Kuvendi po mbron mekanizmin që vazhdon ta gjykojë e kriminalizoj historinë e saj dhe shtetin e Kosovës.
Sot, për këdo që merret me politikë dhe e ndjek këtë proces, është e qartë se debati nuk mund të reduktohet vetëm te individët. Në perceptimin politik që është krijuar rreth këtyre proceseve, është prekur edhe qëllimi politik i luftës, pra, krijimi dhe konsolidimi i Shtetit të Kosovës. Dhe paradoksi është se ata që sot paguhen për ta përfaqësuar këtë shtet në Kuvend, në vend të një veprimi të drejtpërdrejtë institucional, u mjaftuan me një deklaratë politike.
Në vend të një akti politik me efekt juridik, morëm një Deklaratë politike.
Në vend të veprimit për zhbërje, morëm deklarim për zgjatje.
Në vend të përgjegjësisë institucionale, morëm retorikë me formula e kushtëzime përfituese të pushtetit, mbi vlerat themelore të shtetit.
E kjo nuk është mbrojtje e historisë së UÇK-së. Është masturbim politik me simbolikën e saj, për t’iu shmangur përgjegjësisë së vendimmarrjes reale.
Historia e luftës çlirimtare të Kosovës nuk ka nevojë për farsë politike. Ajo ka nevojë për të vërtetën, dokumentet, dëshmitë dhe guximin institucional për ta mbrojtur atë.
UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata që nuk e ndryshojnë realitetin juridik.
UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata që e zgjasin jetën e mekanizmit që e gjykon atë.
Ajo mbrohet me veprim shtetëror.
Kjo ecje e mefshtë e Kuvendit të Kosovës mund të interpretohet si mungesë e vullnetit shtetëror për t’u përballur me pasojat politike të kësaj çështjeje.
Një qasje e tillë, në këndvështrimin tim si ushtarak dhe nga prizmi i sigurisë, mund të trimërojë forcat nacionaliste në Serbi dhe të krijojë terren për tensione e përplasje të reja, në vendo që të kontribuojë në konsolidimin e paqes dhe të shtetit të Kosovës.



