Zbatimi i rekomandimeve nuk duhet të shihet si detyrim formal, por mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes publike
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë si paneliste në Forumin kundër Korrupsionit, të organizuar nga BIRN Kosova.
Në panelin me temën “Parandalimi i korrupsionit përmes rritjes së transparencës dhe meritokracisë”, u diskutua për rolin e deklarimit të pasurisë në parandalimin e korrupsionit dhe llogaridhënien në zbatimin e gjetjeve të raporteve të auditimit.
Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme theksoi se procesi i auditimit nuk përfundon me publikimin e raportit, por vazhdon përmes reagimit institucional dhe adresimit të rekomandimeve.
Ajo nënvizoi se vlera e një gjetjeje të auditimit matet përmes ndryshimeve konkrete që ajo sjell në përmirësimin e proceseve, forcimin e kontrolleve të brendshme dhe menaxhimin më të mirë të parasë publike.
“Prandaj, le ta shohim zbatimin e rekomandimeve jo si një detyrim formal, por si mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes publike, kjo sepse qëllimi përfundimtar i auditimit nuk është të tregojë vetëm se çfarë nuk ka funksionuar. Qëllimi është të ndihmojë që nesër të funksionojë më mirë. Dhe kjo kërkon një kulturë të përbashkët të përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies, nga menaxhmenti, nga institucionet mbikëqyrëse dhe nga të gjithë ne që kemi përgjegjësi në sektorin publik”, ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme.
Duke iu referuar punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ajo njoftoi se gjatë vitit 2025 janë kryer 131 auditime në institucione publike dhe janë dhënë 1,032 rekomandime për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrolleve të brendshme.
Në këtë kuadër, Spanca theksoi rolin e ZKA-së në trajtimin e gjetjeve që mund të përmbajnë elemente të mashtrimit apo veprave penale ku deri me tani janë dërguar te Prokurori i Shtetit rreth 500 raste dhe se janë në proces të vlerësimit edhe rastet për auditimet e vitit 2025.
Forumi përfshiu edhe panelin e dytë me temën “Sfidat në hetimin dhe llogaridhënien për rastet e korrupsionit”, ku u diskutua lidhja e korrupsionit me dëmtimin e mjedisit, sfidat në hetimin e krimeve mjedisore dhe mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit.
Forumi u organizua në kuadër të projektit “Society against Corruption in Montenegro and Western Balkans”, me mbështetjen financiare të Bureau of Democracy, Human Rights, and Labor (DRL) të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



