Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës
29 shtator 2026
| 19:49
Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë shpallur “Qytetarë Nderi” të Tiranës.
Nderimi për katër ish-krerët e UÇK-së lidhet me kontributin dhe rolin e tyre gjatë luftës në Kosovë, si dhe me angazhimin e tyre në rrugëtimin politik të vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Një vendim i miratuar unanimisht nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, në nderim të kontributit dhe rolit të tyre në historinë e Kosovës dhe në luftën e UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Propozimi për shpalljen e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit “Qytetarë Nderi” ishte bërë publik më herët nga Veliaj, i cili kishte deklaruar se nisma synonte të shprehte mirënjohjen e Tiranës për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Në motivacionet e bëra publike gjatë procedurës, përmendet kontributi i tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik të Kosovës, procesin drejt pavarësisë, si dhe lidhjet e tyre me Tiranën dhe Shqipërinë. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë mbajtur role të rëndësishme në UÇK dhe më pas në jetën institucionale e politike të Kosovës.



