Ambasadori britanik: Aktgjykimet në Hagë nuk janë gjykim për të ardhmen e Kosovës
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka rikujtuar rolin e Britanisë së Madhe në Kosovë gjatë vitit 1999, duke theksuar se Londra mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe mbështetjes për Kosovën.
Në një deklaratë, Hargreaves ka kujtuar hyrjen e trupave britanike në Kosovë në qershor të vitit 1999, përmes Hani i Elezit, si pjesë e misionit të NATO-s pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka thënë se politikat e ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq, çuan në represion dhe krime lufte në Kosovë, ndërsa qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga vendi ose u zhvendosën brenda Kosovës.
Sipas ambasadorit britanik, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë edhe Rusinë, kishte shprehur vazhdimisht shqetësimin e thellë për situatën humanitare në Kosovë.
“Britania e Madhe është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë”, ka shkruar Hargreaves, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, llogaridhënien dhe respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Duke iu referuar Dhomave të Specializuara të Kosovës, Hargreaves ka vlerësuar vendimin e Kosovës për krijimin dhe mbështetjen e këtij institucioni, pavarësisht faktit se ai mund të hetojë figura të njohura që kanë qenë pjesë qendrore e luftës për çlirimin e Kosovës.
“Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Hargreaves ka theksuar gjithashtu se aktgjykimet e fundit të Dhomave të Specializuara kanë të bëjnë me krime individuale ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme dhe, sipas tij, nuk përbëjnë në asnjë mënyrë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.
“Ato në asnjë mënyrë nuk janë një gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm”, ka deklaruar Hargreaves.
Ai ka kujtuar se ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtë të apelojnë vendimet e gjykatave.
Ambasadori Hargreaves ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit afatgjatë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai.



