Senatori amerikan e vë në siklet Smithin me pyetjen për Thaçin: Shkuat në Hagë pasi humbët rastet
Jack Smith u thirr në Senatin amerikan për t’u përballur me pyetjet mbi hetimet ndaj Donald Trumpit, por dëshmia mori një kthesë interesante kur senatori republikan Eric Schmitt e riktheu në Hagë, aty ku Smith kishte drejtuar ndjekjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë seancës, senatori republikan Eric Schmitt e pyeti fillimisht Smithin nëse kishte humbur raste gjatë karrierës së tij. Më pas, ai e zhvendosi vëmendjen te kalimi i Smithit në Hagë, duke e pyetur nëse, pas humbjeve në karrierën e tij, ai kishte shkuar atje për të drejtuar ndjekjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Pasi i humbët të gjitha këto raste të nivelit të lartë, ju shkuat në Hagë për ta ndjekur presidentin e Kosovës në vitin 2020”, pyet Schmitt.
“Po, dhe ai është dënuar për mbi 300 raste torture dhe 96 vrasje”, u përgjigj Smith.
Schmitt nuk u ndal me kaq. Ai e pyeti nëse angazhimi në Hagë kishte qenë një mundësi që Smith më pas ta kthente vëmendjen te Donald Trumpi.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, u përgjigj Smith, duke e kundërshtuar prerazi interpretimin e senatorit.
Kështu, dëshmia që kishte në fokus punën e Smithit si Prokuror Special dhe hetimet ndaj Trumpit u kthye për disa momente edhe në një përballje me të kaluarën e tij në Hagë. Pyetjet e Schmitt sollën në sallën e Senatit edhe çështjen ndaj Thaçit, një prej dosjeve më të rëndësishme të karrierës së Smithit përpara rikthimit të tij në SHBA.
Seanca u përqendrua kryesisht te hetimet e Smithit ndaj Trumpit dhe akuzat republikane për mënyrën se si ai e ushtroi autoritetin si Prokuror Special.



