Del video: Si ndihmëspiloti goditi me thikë kapitenin e avionit, gjatë fluturimit Dubai – Tel Aviv!
Detaje të reja janë bërë publike lidhur me incidentin e rëndë në bordin e një avioni të Flydubai, që po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, ku dyshohet se ndihmëspiloti ka sulmuar me thikë kapitenin gjatë një përleshjeje në kabinën e pilotëve.
Avioni, një Boeing 737 MAX me rreth 180 pasagjerë në bord, u detyrua të devijonte itinerarin dhe kreu një ulje emergjente në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, të cituara nga mediat izraelite dhe The Sun, incidenti nisi pasi nga kabina e pilotëve u dëgjuan britma. Pak më vonë, pasagjerët vunë re gjak dhe mësuan se kapiteni dyshohej se ishte goditur me thikë nga ndihmëspiloti.
Disa pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit raportohet se ndërhynë për të ndihmuar në neutralizimin e personit që dyshohet se sulmoi kapitenin.
Situata u përshkallëzua në një moment kritik të fluturimit. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se avioni humbi më shumë se 14 mijë këmbë lartësi në më pak se 30 sekonda, duke shkaktuar panik dhe alarm mes pasagjerëve.
Avioni transmetoi fillimisht kodin e emergjencës 7700 dhe më pas kodin 7500, i cili përdoret për raste rrëmbimi ose ndërhyrjeje të paligjshme. Pas sinjalit të alarmit, avionë luftarakë izraelitë u ngritën për të shoqëruar avionin.
Pas uljes në Tabuk, pasagjerët përshkruan skena kaotike, me persona të gjakosur dhe tension të madh në bord. Një prej dëshmitarëve tha se për disa momente pasagjerët menduan se nuk do të arrinin të dilnin gjallë nga avioni.
Chilling footage of the Flydubai FZ1073 commercial plane making a rapid descent during the on-board struggle between the hijacking pilot and co-pilot/passengers. pic.twitter.com/PsSSPwhThr
— Status-6 (@Archer83Able) September 30, 2026
Flydubai dhe autoritetet izraelite kanë konfirmuar se devijimi drejt Arabisë Saudite erdhi pas një përleshjeje fizike mes dy pilotëve.
Rrethanat e plota të incidentit, përfshirë motivin e dyshuar të sulmit ndaj kapitenit, mbeten nën hetim.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Tabuk, ndërsa të gjithë pasagjerët raportohet se janë jashtë rrezikut.



