Këshilli i Evropës për zgjedhjet e 7 qershorit: U keqpërdorën resurset shtetërore dhe u subvencionuan linjat ajrore për diasporën

30 shtator 2026 | 15:35

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ka evidentuar shqetësime lidhur me kushtet e garës zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e resurseve shtetërore, shpërndarjen e pagesave financiare dhe subvencionimin e linjave ajrore për diasporën nga Qeveria në detyrë.

Këto gjetje janë paraqitur në raportin e delegacionit të PACE-s për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Një shqetësim kryesor i identifikuar nga delegacioni i PACE-s dhe vëzhguesit vendas ishte pabarazia në garën zgjedhore. Qeveria në detyrë, në prag të zgjedhjeve, mori vendime për të ofruar pagesa financiare njëherëshe për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe për të subvencionuar linjat ajrore për diasporën. Koha e ndërmarrjes së këtyre masave u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet. Delegacioni i PACE-s dëgjoi nga disa bashkëbisedues se këto vendime përbënin keqpërdorim të burimeve administrative dhe mjegullonin vijën ndarëse mes politikave publike dhe interesave zgjedhore. Një sjellje e tillë u jep përparësi subjekteve në pushtet dhe cenon perceptimin për një konkurrencë të drejtë, edhe kur vendimet mund të kenë një justifikim të argumentueshëm në interesin publik”, është thënë në raportin e Këshillit të Evropës.

Sipas raportit, koha e ndërmarrjes së këtyre masave “u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet”.

“Delegacioni i PACE-s dëgjoi nga disa bashkëbisedues se këto vendime përbënin keqpërdorim të burimeve administrative dhe mjegullonin vijën ndarëse mes politikave publike dhe interesave zgjedhore”, është thënë në raport.

Në raport është theksuar se një sjellje e tillë “u jep përparësi subjekteve në pushtet dhe cenon perceptimin për një konkurrencë të drejtë”, edhe në rastet kur vendimet mund të kenë një justifikim të argumentueshëm në interesin publik.

Një tjetër mangësi e evidentuar ka qenë mungesa e debateve të drejtpërdrejta mes kandidatëve për kryeministër.

“Kjo e kufizoi mundësinë e votuesve për t’i krahasuar alternativat politike përmes një përballjeje të drejtpërdrejtë dhe e privoi fushatën nga përmbajtja thelbësore demokratike”, është thënë në raport.

Raporti ka evidentuar gjithashtu mangësi në transparencën e financimit të fushatave, duke e cilësuar këtë si një fushë që kërkon “përmirësim të konsiderueshëm”.

Sipas raportit, organizata DiA ka monitoruar shpenzimet e partive politike për reklamat në rrjetet sociale dhe ka identifikuar shpenzime që kanë tejkaluar 100 mijë euro në platformat e Meta-s vetëm gjatë javës së fundit të fushatës.

Në përfundim, PACE ka evidentuar disa sfida strukturore që, sipas raportit, vazhdojnë të jenë të pranishme në proceset zgjedhore.

Në mesin e tyre janë përmendur kushtet e pabarabarta në garën zgjedhore si pasojë e keqpërdorimit të resurseve shtetërore nga Qeveria në detyrë, lodhja e votuesve dhe rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, mungesa e debatit përmbajtësor mbi politikat dhe e përballjeve të drejtpërdrejta mes kandidatëve kryesorë.

Po ashtu, raporti ka evidentuar kërcënimet nga dezinformimi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, gjuha e urrejtjes dhe dhuna digjitale, mbrojtjen e pamjaftueshme të kandidateve gra në mjedisin online, si dhe mangësitë në qasjen në zgjedhje, masat mbrojtëse për votimin jashtë vendit dhe përfaqësimin etnik në administrimin e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti i parë me 47.13 për qind të votave ose 53 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e dyta me 19.44 për qind të votave ose 22 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 16.69 për qind ose 18 deputetë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë e katërta me 6.74 për qind të votave, duke siguruar shtatë ulëse në Kuvend.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
21 vite ETC. 21 vite histori. Një histori që e…