Bashkimi fiton Superkupën e Kosovës në basketboll

30 shtator 2026 | 10:02

Bashkimi është shpallur fitues i Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi në një finale spektakolare dhe dramatike ka mposhtur Trepçën me rezultat 103:93, pas vazhdimeve. Finalja e zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec ka dhuruar emocione të shumta, me ndeshjen që është ndërprerë përkohësisht dhe është vendosur vetëm pas pesë minutave shtesë.

Trepça e ka nisur më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 24:22, ndërsa në të dytin ka qenë sërish më efikase, 22:18. Mitrovicasit kanë shkuar në pushim me epërsi 46:40.

Kur kishin mbetur më pak se tri minuta deri në fund të pjesës së parë, pas tensioneve të krijuara në parket dhe hedhjes së mjeteve piroteknike nga tribunat, gjyqtarët dhe të dyja skuadrat janë larguar nga fusha, ndërsa ndeshja është ndërprerë përkohësisht. Palestra është zbrazur dhe pas ndërhyrjeve të nevojshme, ndeshja ka vazhduar.

Bashkimi ka reaguar fuqishëm në pjesën e dytë. Skuadra prizrenase e ka fituar çerekun e tretë 28:24 dhe të katërtin 19:17, duke e barazuar rezultatin dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime pas një fundi dramatik. Kur kishin mbetur vetëm 1.6 sekonda nga fundi i kohës së rregullt, Shanon Shorter ka shënuar nga pothuajse 10 metra dhe i ka dhënë Bashkimit epërsinë 87:84. Megjithatë, Trepça nuk është dorëzuar.

Në aksionin e fundit, Dardan Kapiti ka realizuar një treshe spektakolare nga gjysma e fushës, duke e barazuar rezultatin në 87:87 dhe duke e çuar finalen në vazhdime. Në pesë minutat shtesë, Bashkimi ka qenë dukshëm më i mirë, duke shënuar 16 pikë, përballë vetëm gjashtë pikëve të Trepçës. Kështu, Bashkimi ka triumfuar me rezultat 103:93 dhe e ka ngritur trofeun e Superkupës së Kosovës.

May be an image of basketball, volleyball, crowd and text

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Burim Abazi BI shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…