JACK SMITH, NGA DËGJIMI NË SENAT, TE PËRGJEGJËSIA PËR HAGËN

01 tetor 2026 | 10:25

Shkruan: Hisen Berisha 

Dëgjimi i Jack Smith në Senatin e Shteteve të Bashkuara duhet të na bëjë të shtrojmë një pyetje shumë të thjeshtë në Kosovë, nëse në Amerikë një ish-prokuror thirret para Senatit për të dhënë llogari për ushtrimin e mandatit të tij, pse në Kosovë përgjegjësia për ushtrimin e një mandati në Dhomat e Specializuara duhet të mbetet vetëm çështje deklaratash politike?

Jack Smith nuk është një emër i rastësishëm në historinë e Hagës. Ai ka shërbyer si Prokuror Special i Dhomave të Specializuara nga viti 2018 deri në vitin 2022, duke mbikëqyrur punën e Prokurorisë së Specializuar dhe procedimet e para të kësaj gjykate. Më pas ai u largua nga kjo detyrë për të marrë postin e Prokurorit të posaçëm në Shtetet e Bashkuara.

Prandaj, dëgjimi i tij në Senatin amerikan nuk është vetëm një zhvillim amerikan që duhet parë nga larg.

Ky veprim i Senatit, është mësim i mësuar që na kujton një parim të thjeshtë të përgjegjësisë institucionale se, nëse një person ka ushtruar një mandat publik, mandati i përfunduar nuk e zhduk nevojën për të dhënë llogari për mënyrën se si është ushtruar ai mandat.

Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë veprimin Kuvendi i Kosovës.

Jo me deklarata.

Jo në stilin qosjan, me reagime pas çdo vendimi.

Jo me shprehje shqetësimi përmes deklaratave që harrohen pas disa ditësh.

Por me mekanizmat juridik, politik e kushtetues që një institucion parlamentar i ka në dispozicion.

Jack Smith duhet të thirret në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Jo sepse Kuvendi duhet të bëhet gjykatë, as të zëvendësojë gjykatën apo të ndalë punën e sistemit të drejtësisë ndaj zhvillimeve në Hagë. Por sepse Kuvendi ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale për një proces që është zhvilluar në emër të një sistemi të krijuar nga Republika e Kosovës dhe që ka prodhuar pasoja të jashtëzakonshme politike e juridike për vendin.

Kjo është pikërisht ajo që mungon në qasjen tonë ndaj Hagës, kalimi nga deklarata politike te përgjegjësia institucionale.

Në Kosovë jemi mësuar që pas çdo zhvillimi në Hagë të kemi deklarata, reagime, konferenca dhe postime. Por deklarata nuk është veprim shtetëror.

Nëse ka dyshime, kundërshtime dhe pikëpyetje serioze për mënyrën se si është zhvilluar një proces, atëherë ato duhet të shndërrohen në pyetje institucionale, në kërkesa për përgjigje dhe në procedura parlamentare.

Senati amerikan po na mëson pikërisht këtë mësim.

Përgjegjësia, nuk përfundon me përfundimin e mandatit.

Dhe në rastin e Kosovës, kjo është edhe më e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një proces që prek drejtpërdrejt historinë, luftën, shtetformimin dhe perceptimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, në vend që Kuvendi i Kosovës vetëm të miratojë deklarata politike për Hagën, ai duhet të përdorë autoritetin e tij parlamentar.

Jack Smith, duhet të thirret në interpelancë.

Le të japë përgjigje.

Le të shpjegojë mënyrën e ushtrimit të mandatit të tij si Prokuror Special.

Le të ballafaqohet me pyetjet e përfaqësuesve të popullit të Kosovës.

Dhe le të fillojë më në fund ajo që deri tani ka munguar, pra, të avancohet nga deklaratat politike te përgjegjësia dhe veprimi institucional.

Sepse shteti nuk mbrohet vetëm duke folur.

Shteti mbrohet duke përdorur institucionet e tij.

Dhe në këtë rast, institucioni që duhet të fillojë të veprojë është Kuvendi i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Prend Buzhala Në Prishtinë, në lokalet e Shoqatës së…