Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

01 tetor 2026 | 12:10

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin ku, bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimi është marrë nga gjykatësi i vetëm i këtij rasti, Christopher Gosnell, më 30 shtator 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, gjykatësi ka konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera.

Po ashtu, për vazhdimin e paraburgimit, Specialja ka bërë të ditur se gjykatësi ka marrë parasysh edhe faktin që Thaçi është shpallur fajtor dhe është dënuar në gjykimin për krime lufte.

“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar Specialja.

Gjykatësi ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit vazhdon të mbetet i domosdoshëm dhe proporcional.

Kujtojmë se në rastin për krime lufte, Specialja ka shpallur aktgjykimin më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim. Me aq vite burgim është dënuar edhe Jakup Krasniqi. Ndërkaq, Kadri Veseli me 18 vjet burgim e Rexhep Selimi me 13.

Në gjykimin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, më 14 shtator 2026 ka përfunduar paraqitja e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë, më 27 shkurt 2026, ka nisur dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ka qenë me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij ka përfunduar më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 ka dëshmuar dëshmitari i dytë, Koen Herlaar, ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars ka nisur dëshminë dëshmitari i tretë, Christopher Kelly, hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e ka përfunduar dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit ka dëshmuar ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo ka dëshmuar më 11 dhe 12 maj 2026.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë arrestuar më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor 2024, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila është mbajtur më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet, Grupin Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami), si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë është thënë se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty është thënë se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një grup të rinjsh janë mbledhur sot në shenjë proteste…