UP-ja reagon pas dënimit të krerëve të UÇK-së: Drejtësia nuk ndërtohet mbi paragjykime kolektive
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar për verdiktin prej 81 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tyre zyrtare, UP-ja ka shprehur besimin se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive.
“Universiteti i Prishtinës beson se e vërteta historike duhet të kërkohet përmes dokumenteve, dëshmive, kërkimit shkencor dhe debatit të hapur akademik. E vërteta për luftën e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin, relativizimin apo instrumentalizimin politik të historisë, por mbi shqyrtimin kritik dhe të përgjegjshëm të fakteve”, është thënë në reagimin e UP-së.
Universiteti i Prishtinës, ndër të tjera, ka shkruar se mbetet i hapur dhe i gatshëm të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e tij akademike, shkencore dhe institucionale në dokumentimin, studimin dhe ndriçimin e së vërtetës historike për luftën çlirimtare.
“Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna. Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare”, është thënë ndër të tjera.



