Partia Socialiste rrëzon kërkesën e PD-së për mocion me debat për Vlora Hysenin
Ka përfunduar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila me votat e mazhorancës ka rrëzuar kërkesën e opozitës për mocion me debat për Vlora Hysenin.
Opozita ka kërkuar që çështja të shqyrtohet në Parlament, duke vënë në fokus përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka argumentuar se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë, përkatësisht SPAK-ut dhe gjykatës, të cilat duhet të vijojnë procedurat sipas kompetencave të tyre. Sipas këtij qëndrimi, kërkesa e opozitës për mocion me debat nuk është mbështetur.
DEBATET ME DYER TË MBYLLURA
PD-ja, përmes kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ka argumentuar se kërkesa për mocion nuk synon të ndërhyjë në hetimin penal, por të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale për emërimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e SHISH-it.
“SPAK-u është duke e bërë punën e vet. Kuvendi ka punën e vet”, ka deklaruar Bardhi, duke theksuar se opozita nuk kërkon të marrë të dhëna nga dosja hetimore apo të thërrasë prokurorët në Kuvend.
Sipas Bardhit, Parlamenti duhet të diskutojë përgjegjësitë që lidhen me funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë. Ai ka ngritur gjithashtu pretendime lidhur me informacionet e publikuara për hetimin ndaj Hysenit dhe ka thënë se çështja prek sigurinë kombëtare.
“SPAK-u është duke e bërë punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon”, ka deklaruar Bardhi.
Nga ana tjetër, PS-ja ka kërkuar që hetimi t’i lihet SPAK-ut, duke argumentuar se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe zbardhet përmes procedurave të drejtësisë.
Kreu i grupit të PS-së, Taul Balla, është shprehur se hetimet ndaj Vlora Hysenit duhet t’i lihen në dorë SPAK-ut, dhe sipas tij, çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe zbardhet deri në fund.



