“I ngutshëm”, “jotransparent”, IKD reagon pasi KPK e shkarkoi Blerim Isufajn

02 tetor 2026 | 20:11

IKD, ka kundërshtuar mënyrën e largimit të Blerim Isufaj nga pozita e Kryeprokurorit të PSRK, duke e cilësuar atë si “të ngutshme” dhe, “jotransparente”.

Në komunikatë shtohet edhe se, emërimi dhe largimi i kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse nga KPK, duhet të zhvillohet mbi parime dhe standarde që bindin publikun e gjerë dhe komunitetin e prokurorëve se vendimi është i drejtë, i pavarur dhe i paanshëm.

“Kur kësaj i shtohet fakti se nga partia në pushtet, LVV, z. Isufaj ishte targetuar si person i padëshirueshëm dhe kishte sulme politike sistematike ndaj të njëjtit, vendimmarrja e sotme në KPK dhe pa arsye bindëse e cenon besimin e publikut për një proces të drejtë dhe jo-politik’’, thuhet mes tjerash në reagim.

Komunikatë:

IKD kundërshton mënyrën e largimit të Blerim Isufaj nga pozita e Kryeprokurorit të PSRK

Instituti i Kosovës për Drejtësi kundërshton mënyrën e ngutshme dhe jotransparente të vendimmarrjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili, në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur sot, vendosi për largimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Emërimi dhe largimi i kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse nga KPK, duhet të zhvillohet mbi parime dhe standarde që bindin publikun e gjerë dhe komunitetin e prokurorëve se vendimi është i drejtë, i pavarur dhe i paanshëm.

KPK sot dështoi të bind publikun e gjerë mbi arsyen dhe qëllimin e bazuar për të zhvilluar një  takim të jashtëzakonshëm të mbyllur për publikun ku vendosi për largimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

IKD para këtij takimi kërkoi nga KPK që çdo veprim lidhur me drejtimin e PSRK-së të ndërmerret përmes një procesi të drejtë, transparent, profesional dhe të bazuar në ligj. Veprimet e KPK-së për takimin e jashtëzakonshëm dhe komunikata e publikuar pas tij nuk u dhanë përgjigje shqetësimeve të ngritura për procedurën e ndjekur dhe urgjencën e kësaj vendimmarrjeje.

KPK, përmes një komunikate për media, ka paraqitur konstatime për keqmenaxhim, jokompetencë, mospërmbushje të detyrave dhe mungesë të performancës. Vetë KPK pretendon se problemet në menaxhimin e PSRK-së janë shfaqur gjatë katër viteve të fundit. Ky pretendim e bën edhe më të nevojshëm sqarimin se çfarë veprimesh mbikëqyrëse dhe vlerësuese ka ndërmarrë KPK gjatë kësaj periudhe dhe çfarë rrethane konkrete e ka bërë të domosdoshëm largimin përmes një takimi të jashtëzakonshëm. Probleme të pretenduara ndër vite nuk e arsyetojnë vetvetiu urgjencën e vendimmarrjes.

IKD rithekson se llogaridhënia është e domosdoshme për sistemin prokurorial. Megjithatë, ajo duhet të realizohet përmes procedurave të qarta, vlerësimit objektiv dhe respektimit të garancive procedurale. Pavarësia dhe llogaridhënia forcohen bashkë vetëm kur kompetencat institucionale ushtrohen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Mënyra se si merret një vendim është thelbësore për legjitimitetin e tij dhe për besimin e publikut në institucionin që e merr atë.

Llogaridhënia nuk duhet të realizohet përmes proceseve që, për shkak të mangësive procedurale, rrezikojnë të kontestohen dhe të cenojnë legjitimitetin e vendimmarrjes së vetë KPK-së. Në reagimin e paradites, IKD rikujtoi rastin e shkarkimit të Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kontestuar, vendim të cilin Gjykata Supreme e anuloi si të kundërligjshëm. KPK do të duhej të nxirrte mësime nga ky rast dhe të shmangte përsëritjen e praktikave të vendimmarrjes së ngutshme. Praktika të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e KPK-së dhe besimin e publikut në ushtrimin e përgjegjësive të tij.

IKD thekson se një vendim që prek drejtimin e një prokurorie me mandat të veçantë kërkon arsyetim konkret, të verifikueshëm dhe bindës, përfshirë shpjegimin se përse largimi është masa e nevojshme dhe proporcionale.

Kur kësaj i shtohet fakti se nga partia në pushtet, LVV, z. Isufaj ishte targetuar si person i padëshirueshëm dhe kishte sulme politike sistematike ndaj të njëjtit, vendimmarrja e sotme në KPK dhe pa arsye bindëse e cenon besimin e publikut për një proces të drejtë dhe jo-politik.

Për shkak të mandatit të PSRK-së në trajtimin e rasteve të ndjeshme, përfshirë krimin e organizuar dhe transnacional, KPK ka përgjegjësi të shtuar që mënyra e veprimit të tij të mos krijojë perceptime për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të kësaj prokurorie. Mungesa e transparencës dhe urgjenca e pasqyruar rrezikojnë të krijojnë perceptime për ndërhyrje politike në pavarësinë funksionale të kësaj prokurorie.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës sot ka emëruar Arta Avdiun…