Xhavit Haliti: Të bëhemi bashkë për Kosovën, për të vërtetën e luftës së UÇK-së
Një nga ish themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
Duke ju referuar aktgjykimit të trupit gjykues të Gjykatës Speciale, Haliti ka theksuar se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet kurrë, nga askush.
“Në këto ditë të rënda për Kosovën, kohë për të humbur nuk kemi. Duhet t’i mbledhim forcat dhe të bëhemi bashkë për Kosovën, për të vërtetën e luftës së UÇK-së”, ka thënë Haliti.
Postimi i plotë:
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet. Kurrë. Nga askush.
Lirinë e Kosovës e fituam bashkë me ndërkombëtarët dhe Shqiperinë. Shtetin, po ashtu, e krijuam dhe e forcuam së bashku. Për këtë, faleminderit përjetësisht.
Miqtë ndërkombëtarë duhet t’i ruajmë, të bashkëpunojmë dhe ta rrisim besimin e ndërsjellë.
Dënimi ndaj liderëve të UÇK-së, miqve të mi, Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhës, i shokoi shqiptarët. Normalisht, jo disa që sot bëhen kinse po vajtojnë. I dimë kush ishin dje dhe kush janë sot.
Por, në këto ditë të rënda për Kosovën, kohë për të humbur nuk kemi. Duhet t’i mbledhim forcat dhe të bëhemi bashkë për Kosovën, për të vërtetën e luftës së UÇK-së.
Prandaj, u bëj thirrje institucioneve, partive politike, shoqërisë civile dhe çdo qytetari: të bashkohemi në një përpjekje të koordinuar, të krijojmë mekanizma transparentë për mbështetje financiare, të sigurojmë ekspertizën më të mirë ligjore dhe të forcojmë komunikimin diplomatik për ta fituar betejën në apel.
Me unitet. Me përgjegjësi. Për Kosovën. Për UÇK-në.



